Bota

Ukraina: Rusia lëshoi 818 dronë dhe raketa, sulmi më i madh deri tani

Ushtria ukrainase tha se ky ishte sulmi më i madh pas 9 korrikut, kur forcat ruse lëshuan 728 dronë dhe 13 raketa.

Alperen Aktaş  | 07.09.2025 - Përdıtësım : 07.09.2025
Ukraina: Rusia lëshoi 818 dronë dhe raketa, sulmi më i madh deri tani

Stamboll

Ukraina tha sot se Rusia lëshoi ​​një rekord prej 818 dronësh dhe raketash gjatë natës kundër territorit të saj, me presidentin Volodymyr Zelenskyy që konfirmoi vdekje civilësh dhe dëmet në kryeqytetin Kiev, si dhe rajone të tjera, transmeton Anadolu.

“Që nga nata e kaluar, puna ka vazhduar për të eliminuar pasojat e sulmeve ruse – më shumë se 800 dronë, 13 raketa, përfshirë katër raketa balistike”, tha Zelenskyy në një fjalim vonë natën, duke vënë në dukje se disa dronë kaluan kufirin e Ukrainës dhe Bjellorusisë.

Ai tha se dy persona u vranë në Kiev pasi u goditën ndërtesa banimi, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën në kryeqytet.

Dy viktima të tjera u raportuan në rajonet Sumy dhe Chernihiv, me dëme të regjistruara edhe në Odesa, Zaporizhzhia dhe Kryvyi Rih. Ndërtesa e Kabinetit të Ministrave në Kiev u përfshi nga flakët pasi u godit, ndërsa më shumë se 20 shtëpi dhe një kopsht fëmijësh u dëmtuan në Zaporizhzhia.

Sipas komandës së Forcave Ajrore të Ukrainës, sulmi filloi të premten vonë dhe përfshiu 805 dronë Shahed dhe dronë simulatorë, nëntë raketa kundruese Iskander-K dhe katër raketa balistike Iskander-M/KN-23 të lëshuara nga rajonet ruse dhe Krimea e pushtuar.

“Sipas të dhënave paraprake, deri në orën 08:30 (0530GMT), sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan/neutralizuan 751 objektiva ajrore: 747 UAV të tipit Shahed dhe dronë simulatorë të llojeve të ndryshme, si dhe katër raketa lundruese Iskander-K”, thuhet në një deklaratë të Forcave Ajrore në Telegram.

Deklarata theksoi se goditje nga nëntë raketa dhe 56 dronë u regjistruan në 37 lokacione në gjithë vendin, ndërsa mbetje të mjeteve të rrëzuara ranë në tetë zona.

Ushtria ukrainase nënvizoi se ky ishte sulmi më i madh pas 9 korrikut, kur forcat ruse lëshuan 728 dronë dhe 13 raketa, nga të cilat u shkatërruan 711 dronë dhe shtatë raketa.

Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat e saj shkatërruan 69 dronë ukrainas gjatë natës në disa rajone.

“Më 7 shtator, nga mesnata deri në orën 06:30 sipas orës së Moskës (0330GMT), sistemet e mbrojtjes ajrore në gatishmëri shkatërruan dhe kapën 69 mjete ajrore ukrainase pa pilot të tipit avion”, tha ministria.

Sipas deklaratës, 21 dronë u rrëzuan në Krasnodar, 13 në Voronezh, 10 në Belgorod, 7 në Astrakhan, 6 në Volgograd, 3 në Rostov, 2 në Bryansk dhe nga 1 në Kursk, Ryazan dhe Krime. Po ashtu, katër dronë janë kapur mbi Detin e Azovit.

Sulmet e fundit vijnë mes intensifikimit të luftës ajrore mes Kievit dhe Moskës, me të dyja palët që kanë shtuar sulmet ndërkufitare me dronë javët e fundit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın