Ukraina: Qyteti Zaporizhzhia është goditur nga një sulm masiv me dronë rusë
"Ndërtesa banimi, objekte tregtare dhe infrastruktura u goditën në sulmin e natës", tha guvernatori i Zaporizhzhias, Ivan Federov
Stamboll
Ukraina tha sot se qyteti juglindor i Zaporizhzhias u godit nga një sulm masiv me dronë rusë gjatë natës, transmeton Anadolu.
Guvernatori i Zaporizhzhias, Ivan Fedorov shkroi në Telegram se qyteti u godit nëntë herë. Ai tha se u goditën ndërtesat e banimit, objektet tregtare dhe infrastruktura.
Fedorov tha se shumica e dronëve të lëshuar u rrëzuan rreth 30 kilometra nga vija e frontit, duke parandaluar çdo viktimë midis popullsisë lokale. Ai shtoi se sulmi gjatë natës shënjestroi infrastrukturën lokale të energjisë, por se ka furnizim me energji elektrike në rajon që nga mëngjesi i sotëm.
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave (DSNS) tha se një qendër tregtare në qytet u përfshi nga flakët gjatë valës së dytë të sulmit. Forcat Ajrore të Ukrainës pretendojnë se mbrojtja ajrore rrëzoi 86 nga 116 dronët e lëshuar nga Rusia gjatë natës.
Rusia ende nuk ka komentuar mbi pretendimet e Ukrainës, megjithëse Ministria e saj e Mbrojtjes tha se nisi shtatë sulme ndaj infrastrukturës ukrainase gjatë javës së kaluar, përfshirë ndërmarrjet e industrisë ushtarake, objektet e energjisë dhe infrastrukturën portuale, në përgjigje të sulmeve.
Ministria në një deklaratë të mëparshme tha se mbrojtja ajrore rrëzoi 64 dronë ukrainas gjatë natës.
Si Moska ashtu edhe Kievi kanë shkëmbyer shpesh akuza për synimin e objekteve energjetike të njëra-tjetrës në dimër, pavarësisht diskutimeve të vazhdueshme mbi një plan paqeje të mbështetur nga SHBA-ja për t'i dhënë fund luftës gati katërvjeçare.
