Ukraina propozon mbajtjen e një takimi mes presidentëve Putin dhe Zelenskyy deri në fund të gushtit
- Sipas kreut të delegacionit ukrainas, Kievi pret gjithashtu “përparim të mëtejshëm” në çështjen e shkëmbimeve të të burgosurve mes vendeve

Moskë
MOSKË/STAMBOLL (AA) - Kreu i delegacionit ukrainas në bisedimet me Rusinë në Stamboll, Rustem Umerov, ka bërë të ditur se Kievi i ka propozuar Moskës të organizojë një takim midis presidentëve të të dy vendeve deri në fund të gushtit, raporton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media pas bisedimeve të paqes Rusi-Ukrainë, Umerov tha se gjatë takimit delegacionet diskutuan prioritetet e të dyja palëve.
Sipas tij, Kievi pret gjithashtu “përparim të mëtejshëm” në çështjen e shkëmbimeve të të burgosurve mes vendeve.
Umerov gjithashtu falënderoi Turqinë për rolin e saj ndërmjetësues në kontaktet me Rusinë.
“E falënderojmë Turqinë për rolin lehtësues. Është një platformë e rëndësishme për dialog dhe paqe”, tha ai.
Një anëtar i delegacionit ukrainas, zv/ministri i parë i Punëve të Jashtme, Sergiy Kyslytsya, tha se pala ruse ka pranuar kërkesat për lirimin e personave të mbajtur peng për më shumë se tre vjet, ndërsa zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës, Heorhii Tykhyi, tha se Ukraina nuk ka asnjë parakusht për shpalljen e një armëpushimi.