Ukraina pretendon se ka rimarrë kontrollin e gati 90 për qind të qytetit strategjik Kupiansk në Kharkiv
“Falë veprimeve aktive të kërkimit dhe goditjes, arritëm t’i zmbrapsim (forcat ruse) nga Kupiansku dhe të marrim kontrollin e gati 90 për qind të territorit të qytetit”, tha komandanti i përgjithshëm i Ukrainës.
Stamboll
Ukraina pretendoi sot se forcat e saj kanë rimarrë kontrollin e pothuajse 90 për qind të qytetit Kupiansk në rajonin verilindor të Kharkivit, të cilin Rusia kishte deklaruar se e kishte pushtuar në fund të muajit të kaluar, transmeton Anadolu.
“Falë veprimeve aktive të kërkimit dhe goditjes, arritëm t’i zmbrapsim (forcat ruse) nga Kupiansku dhe të marrim kontrollin e gati 90 për qind të territorit të qytetit”, shkroi në Telegram komandanti i përgjithshëm i Ukrainës, Oleksandr Syrskyi.
Deklarata vjen në kohën kur zyrtarë ushtarakë ukrainas pretendojnë rrethimin e trupave ruse në këtë vendbanim strategjik, i cili shërben si një nyje e rëndësishme hekurudhore për rajonin verilindor.
Më 20 nëntor, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë, Valery Gerasimov, i tha presidentit Vladimir Putin se forcat ruse kishin marrë kontrollin e Kupianskut, rreth 100 kilometra në lindje të Kharkivit, qytetit të dytë më të madh të Ukrainës.
Ukraina e mohoi këtë pretendim gjatë vizitës së presidentit Volodymyr Zelenskyy në qytetin e vijës së frontit javën e kaluar, duke thënë në një videomesazh se “arritja e rezultateve në vijën e frontit është thelbësore që Ukraina të arrijë rezultate edhe në diplomaci”.
Të hënën, Viktor Trehubov, zëdhënës ushtarak ukrainas, tha gjatë një transmetimi televiziv se përpjekjet për të rimarrë kontrollin e plotë të vendbanimit janë në vazhdim, duke pretenduar se trupat ruse janë “efektivisht të bllokuara brenda qytetit”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Ukrinform.
Nga ana tjetër, ministri rus i Mbrojtjes, Andrey Belousov, u tha zyrtarëve të lartë të mbrojtjes gjatë një mbledhjeje të transmetuar sot se forcat ukrainase po përpiqen “pa sukses” të marrin kontrollin e Kupianskut, duke rikonfirmuar njëkohësisht kontrollin e Moskës mbi vendbanimin.
Verifikimi i pavarur i pretendimeve të Moskës dhe Kievit është i vështirë për shkak të luftës që po vazhdon prej më shumë se tre vjetësh e gjysmë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
