Bota

Ukraina: Një i vrarë dhe 19 të plagosur në sulmin rus me dronë në qytetin Vyshhorod

Forcat Ajrore të Ukrainës pretenduan se mbrojtja ajrore rrëzoi 104 nga 122 dronë të llojeve të ndryshme të lëshuar nga Rusia gjatë natës.

Burç Eruygur  | 30.11.2025 - Përdıtësım : 30.11.2025
Ukraina: Një i vrarë dhe 19 të plagosur në sulmin rus me dronë në qytetin Vyshhorod

Stamboll

Ukraina tha sot se të paktën një person u vra dhe 19 të tjerë u plagosën nga një sulm rus me dron gjatë natës në qytetin Vyshhorod, i vendosur menjëherë në veri të kryeqytetit të vendit, Kiev, transmeton Anadolu.

“Numri i të plagosurve nga sulmi i armikut në Vyshhorod është rritur në 19. Mes tyre janë katër fëmijë … Për fat të keq, një burrë ka vdekur”, tha në një deklaratë në Telegram guvernatori i rajonit të Kievit, Mykola Kalashnyk.

Duke thënë se 11 nga të plagosurit u shtruan në spital me lëndime të shkallëve të ndryshme, Kalashnyk shtoi se zjarri në një ndërtesë shumëkatëshe të goditur nga sulmi është shuar.

Kalashnyk tha gjithashtu se dy ndërtesa të tjera shumëkatëshe në qytet, si dhe 14 ndërtesa private, një ndërmarrje dhe shtatë makina janë dëmtuar nga sulmi.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy komentoi për sulmet gjatë natës në rrjetin social amerikan X, duke thënë se ka të plagosur në rajonet Dnipropetrovsk dhe Kharkiv, dhe se rajonet Odesa, Sumy dhe Kherson janë prekur gjithashtu.

Duke përmendur sulmet ndaj Ukrainës gjatë javës së kaluar, Zelenskyy theksoi se kjo është arsyeja pse ata “duhet të forcojnë qëndrueshmërinë e Ukrainës çdo ditë”.

“Raketat dhe sistemet e mbrojtjes ajrore janë thelbësore dhe po aq e rëndësishme është puna aktive me partnerët tanë për paqen. Na duhen zgjidhje reale dhe të besueshme që do të ndihmojnë t’i japin fund kësaj lufte”, shtoi presidenti ukrainas.

Ndërkohë, Forcat Ajrore të Ukrainës pretenduan në një deklaratë në Telegram se mbrojtja ajrore rrëzoi 104 nga 122 dronë të llojeve të ndryshme të lëshuar nga Rusia gjatë natës. Ato pretenduan se dy raketa balistike “Iskander-M” u lëshuan gjithashtu gjatë natës, por nuk dhanë detaje për fatin e tyre.

Autoritetet lokale në rajonet Dnipropetrovsk dhe Kharkiv thanë se një person u plagos në secilin rajon për shkak të sulmeve gjatë natës.

Ndërkohë, autoritetet ruse ende nuk kanë komentuar mbi sulmet.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın