Ukraina merr këstin e parë prej 1.5 miliardë dollarësh nga FMN-ja
"Shuma sipas programit 4-vjeçar brenda marrëveshjes së lehtësimit të zgjeruar të Fondit arrin në 8.1 miliardë dollarë", tha kryeministrja ukrainase, Svyrydenko
Stamboll
Ukraina ka marrë këstin e parë prej 1.5 miliardë dollarësh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, njoftoi sot kryeministrja ukrainase, Yulia Svyrydenko, transmeton Anadolu.
Ajo deklaroi se kësti u dha në kuadër të një programi të ri katërvjeçar brenda marrëveshjes së Lehtësimit të Zgjeruar të Fondit, me një vlerë totale prej 8.1 miliardë dollarësh.
"Fondet tashmë janë kredituar dhe do të përdoren për të financuar shpenzimet prioritare të buxhetit dhe për të mbështetur stabilitetin makrofinanciar", tha Svyrydenko duke shtuar se mbështetja e FMN-së për Ukrainën ka arritur në 14.9 miliardë dollarë që nga fillimi i luftës së vazhdueshme Moskë-Kiev në shkurt 2022.
"Jam mirënjohëse ndaj partnerëve tanë për besimin dhe mbështetjen e tyre. Ne vazhdojmë të zbatojmë reformat e dakorduara që synojnë ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, forcimin e institucioneve shtetërore dhe promovimin e integrimit evropian", theksoi Svyrydenko.
