Ukraina: Katër të vrarë dhe mbi 40 të plagosur në Kiev gjatë sulmit rus në shkallë të gjerë
Forcat Ajrore të Ukrainës pretenduan se mbrojtja e saj ajrore rrëzoi 568 nga 595 dronë, si dhe 43 nga 48 lloje të ndryshme raketash, të lëshuara nga Rusia gjatë sulmit të natës.
Stamboll
Ukraina tha sot se të paktën katër persona u vranë dhe 13 të tjerë u plagosën në kryeqytetin Kiev, gjatë një sulmi në shkallë të gjerë nga Rusia në vend gjatë natës, transmeton Anadolu.
“Sipas të dhënave të përditësuara, deri më tani, 13 persona u plagosën (përfshirë një fëmijë) dhe katër vdiqën (përfshirë një fëmijë) si rezultat i sulmit ndaj Kievit”, tha Tymur Tkachenko, kreu i Administratës Ushtarake të Qytetit të Kievit, në një deklaratë në Telegram.
Tkachenko raportoi më tej dëme në një numër ndërtesash banimi dhe jobanimi në rrethet Darnytskyi, Sviatoshynskyi, Solomianskyi, Holosiivskyi dhe Dniprovskyi të Kievit, duke përfshirë një institut kardiologjie.
Veçmas, Guvernatori i Kievit, Mykola Kalashnik, tha se të paktën 28 persona u plagosën, përfshirë tre fëmijë, në rajonin përreth kryeqytetit ukrainas.
“Katër persona u shtruan në spitale rajonale – tre të rritur dhe një fëmijë. Të gjithë të shtruarit në spital janë në gjendje të moderuar”, shtoi Kalashnik.
Forcat Ajrore të Ukrainës pretenduan se mbrojtja e saj ajrore rrëzoi 568 nga 595 dronë, si dhe 43 nga 48 lloje të ndryshme raketash, të lëshuara nga Rusia gjatë sulmit të natës, për të cilin thanë se kishte në shënjestër kryesisht Kievin.
“Ky sulm i egër erdhi praktikisht në mbyllje të javës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, dhe kjo është pikërisht mënyra se si Rusia deklaron qëndrimin e saj të vërtetë. Moska dëshiron të vazhdojë të luftojë dhe të vrasë, dhe meriton presionin më të ashpër nga bota”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy në një deklaratë përmes platformës amerikane të sociale X në një reagim ndaj sulmit.
“Ne do të vazhdojmë të kundërsulmojmë për ta privuar Rusinë nga këto burime të ardhurash dhe për ta detyruar atë të drejtohet drejt diplomacisë. Kushdo që dëshiron paqe duhet të mbështesë përpjekjet e presidentit (amerikan) (Donald) Trump dhe të ndalojë çdo import rus”, tha ai, duke shtuar se rajonet Zaporizhzhia, Khmelnytskyi, Sumy, Mykolaiv, Chernihiv dhe Odesa janë prekur gjithashtu.
Autoritetet ruse nuk i kanë komentuar menjëherë deklaratat e Ukrainës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
