Ukraina dhe Rusia kryejnë shkëmbim të ri të të burgosurve sipas marrëveshjeve të Stambollit
Në deklaratat e bëra nga Ukraina dhe Rusia nuk u dha asnjë informacion në lidhje me numrin e ushtarëve të përfshirë në shkëmbimin e të burgosurve

Kiev/Moskë
Një shkëmbim i ri ushtarësh dhe civilësh të kapur rob u bë në përputhje me marrëveshjet e arritura në negociatat midis Ukrainës dhe Rusisë të organizuara nga Turqia në Stamboll më 2 qershor, transmeton Anadolu.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy në një postim në llogarinë e tij në Telegram tha se kanë vazhduar shkëmbimin e të burgosurve me palën ruse në kuadër të marrëveshjeve të arritura në bisedimet e Stambollit.
Zelenskyy tha se ushtarët ukrainas që u kapën në konflikte në rajone të ndryshme të Ukrainës u kthyen në vend dhe se shumë prej tyre kanë qenë në robëri që nga viti 2022.
Ai vuri në dukje se në mesin e të liruarve kishte civilë ukrainas. "Shkëmbimet duhet të vazhdojnë dhe i falënderoj të gjithë ata që e bënë të mundur këtë", tha Zelenskyy.
- Ministria ruse e Mbrojtjes: Ukraina ka marrë një grup tjetër ushtarësh të kapur rob
Ministria ruse e Mbrojtjes bëri të ditur se në kuadër të marrëveshjeve të arritura në Stamboll, një grup tjetër ushtarësh rusë të kapur u morën nga territori i kontrolluar nga qeveria e Kievit.
"Në këmbim edhe Ukrainës iu dorëzua një grup ushtarësh. Ushtarët rusë që u morën ndodheshin në Bjellorusi dhe do të dërgohen në Rusi", thuhet në deklaratë.
Në deklaratat e bëra nga Ukraina dhe Rusia nuk u dha asnjë informacion në lidhje me numrin e ushtarëve të përfshirë në shkëmbimin e të burgosurve.
- Në Stamboll u arritën marrëveshje të ndryshme
Si rezultat i negociatave të mbajtura midis Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll më 2 qershor, të organizuara nga Turqia, u arritën marrëveshje në lidhje me dorëzimin e trupave të ngrirë të 6.000 ushtarëve ukrainas, shkëmbimin e ushtarëve të sëmurë rëndë dhe të plagosur dhe ushtarëve të kapur nën moshën 25-vjeç.
Në përputhje me këtë marrëveshje, shkëmbim i të burgosurve të ushtarëve nën moshën 25-vjeç, të sëmurë rëndë dhe të plagosur u krye midis Rusisë dhe Ukrainës në 6 faza më 9, 10, 12, 14, 19, 20 dhe 26 qershor.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.