Ukraina: 9 sulme ruse u zbrapsën në 24 orët e fundit në Donetsk dhe Lugansk
Në rajonet Donetsk dhe Lugansk ushtria ukrainase ka shkatërruar 5 tanke, 10 automjete të blinduara, 2 automjete dhe 4 sisteme artilerie të rusëve

Kiev
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës njoftoi se në 24 orët e fundit 9 sulme të ushtrisë ruse janë zbrapsur nga ushtria ukrainase në Donetsk dhe Lugansk, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një deklarate nga Shtabi i Përgjithshëm, tërhiqet vëmendja se janë rritur sulmet ajrore të Rusisë në zonat ku vazhdon lufta në lindje të vendit dhe se "Armiku nuk po i ndal veprimet e tij sulmuese në Zonën e Operacioneve Lindore".
Nga kufijtë e Bjellorusisë vazhdojnë kërcënimet e sulmeve ajrore dhe artilerike ndaj vendbanimeve ukrainase, theksohet në deklaratën ku bëhet e ditur se në zonën kufitare në anën e Bjellorusisë janë vendosur mjetet shtesë të inteligjencës speciale.
Më tej thuhet se ushtria ruse ka kryer sulme ajrore ndaj rajoneve Sumy dhe Chernihiv të cilat ndodhen në verilindje të Ukrainës dhe se është hapur zjarr ndaj njësive të ushtrisë ukrainase në Zaporizhzhia.
Në deklaratë theksohet se 9 sulme të ndërmarra nga Rusia në ditën e fundit në rajonet Donetsk dhe Lugansk janë zbrapsur nga Forcat e Armatosura të Ukrainës dhe se ushtarët ukrainas kanë shkatërruar 5 tanke, 10 automjete të blinduara, 2 automjete dhe 4 sisteme artilerie të rusëve.
Gjithashtu në Donbas janë rrëzuar dy raketa të lëshuara nga ushtria ruse, thuhet në deklaratën në të cilën vihet në dukje se avionët luftarakë të Ukrainës kanë shkatërruar 10 pika ushtarake që u përkisnin rusëve.
Sipas agjencisë ukrainase të lajmeve "Unian" mësohet se 8 persona janë plagosur në sulmet që forcat ruse kanë ndërmarrë në 24 orët e fundit në rajonin Kharkiv.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.