Ukrainë, metroja Arsenalna llogaritet si "stacioni më i thellë në botë"
Arsenalna ka marrë emrin nga një fabrikë e armëve në afërsi ndërsa me thellësinë prej 105,5 metra llogaritet si stacioni i metrosë më të thellë në botë

Kiev
Arsenalna, një stacion i metrosë në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, që në kohën e Luftës së Ftohtë është ndërtuar edhe si strehë kundër sulmeve bërthamore, llogaritet si "stacioni më i thellë në botë".
Metroja e Kievit është metroja e tretë e ndërtuar në ish-Bashkimin Sovjetik, pas atyre të Moskës dhe Shën Petersburgut.
Rrjeti i metrosë, i cili është mjeti më i rëndësishëm i transportit në qytetin me klimë të ashpër të dimrit, përveç transportit, gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, me stacionet e thella nëntokë është konsideruar si një strehë kundër luftës bërthamore.
Metroja e Kievit, e cila në vit transporton mbi 480 milionë udhëtarë, në vitin 1960 filloi me 5 stacione si linja e kuqe. Sot kjo metro, arriti në 3 linja, edhe atë në të kuqe, të gjelbër dhe të kaltër, me gjatësi prej 67 kilometrash dhe 52 stacionesh.
Veçanërisht, stacionet e para të ndërtuara në stilin "stalinist", tërheqin vëmendjen e udhëtarëve me dekorime të pasura. Pas shpalljes së pavarësisë së Ukrainës, emrat dhe dekorimet komuniste filluan të ndryshohen.
Arsenalna ka marrë emrin nga një fabrikë e armëve në afërsi ndërsa me thellësinë prej 105,5 metra llogaritet si stacioni i metrosë më të thellë në botë.
Kohëzgjatja për të zbritur nga shkallët lëvizëse zgjat rreth 5 minuta.
- "Stacioni më i thellë në botë"
Zëvendës drejtoresha e përgjithshme e Metrosë së Kievit, Natalya Makogon në deklaratën për Anadolu Agency (AA) tha se stacioni është një ndër 5 stacionet e para të ndërtuara.
Ajo vuri në dukje se metroja ka shërbyer edhe si mjet propagande me dekorimet në stacionet e saj, përveç transportit publik në kohën e komunizmit. Makogon thekson se stacionet janë ndërtuar thellë kundër kërcënimit bërthamor në kohën e Luftës së Ftohtë.
Sipas saj, Arsenalna llogaritet si "stacioni më i thellë në botë" dhe se është unike. "Ka disa informacione se ka stacione më të thella në disa shtete të mbyllura, por ende nuk kemi marrë një konfirmim zyrtar për këtë temë", u shpreh ajo.
Ajo tregoi se duke marrë parasysh teknologjinë e periudhës, pjesa e brendshme e stacionit nuk është aq e gjerë sa stacionet tjera në qytet për shkak të vendndodhjes dhe thellësisë së tij. "Shumë vizitorë vijnë në stacion dhe llogarisin sa minuta duhen për të hipur dhe zbritur për të parë sa thellë është", shtoi Makogon.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.