Uellsi i Ri Jugor në Australi ndalon tubimet publike për 2 javë pas miratimit të ligjeve të diskutueshme
Policia e Uellsit të Ri Jugor tha se është autorizuar të shpallë përkohësisht zonat publike si "të kufizuara" për tubime, pasi parlamenti rajonal miratoi ligje të reja pas të shtënave masive të 14 dhjetorit
Stamboll
Shteti më i populluar i Australisë, Uellsi i Ri Jugor ka ndaluar tubimet publike për dy javë pasi miratoi një ligj të diskutueshëm kundër protestave, sipas të cilit njerëzve mund t'u kërkohet të heqin mbulesat e fytyrës, transmeton Anadolu.
Policia e Uellsit të Ri Jugor tha se është autorizuar të shpallë përkohësisht zonat publike si "të kufizuara" për tubime, pasi parlamenti rajonal dje miratoi ligje të reja pas të shtënave masive të 14 dhjetorit në plazhin Bondi. Policia tha se gjatë periudhës dyjavore, asnjë tubim publik nuk mund të autorizohet dhe çfarëdo tubimi publik do të konsiderohet i paautorizuar.
"Shpallja u bë pas konsiderimit të legjislacionit të ri dhe ndikimeve në sigurinë publike nga protestat e mëtejshme pas sulmit terrorist në Bondi", tha policia. Shpallja do të rishqyrtohet dhe mund të zgjatet çdo dy javë për deri në tre muaj. Policia mund të kërkojë që personat e dyshuar për vepra penale të heqin mbulesat e fytyrës për identifikim.
Ndërkohë, sipas "ABC News", autoritetet australiane po hetojnë një rast ku një automjet me dekorime për festën Hanukkah sot herët u qëllua me bombë në juglindje të Melburnit në ditën e Krishtlindjeve.
Në të shtënat në plazhin Bondi, që ndodhën gjatë një ngjarjeje për festën Hanukkah, u vranë 15 persona dhe u plagosën 42 të tjerë. Njëri nga të dyshuarit për të shtënat u vra ndërsa tjetri u plagos rëndë.
Sipas ndryshimeve në ligjin për terrorizëm, të miratuar nga parlamenti i Uellsit të Ri Jugor, protestat masive do të kufizohen, duke i ndaluar efektivisht deri në 90 ditë. Sipas legjislacionit të ri për armët, pas të shtënave masive, mbajtësit e licencave rekreative do të mund të posedojnë maksimumi katër armë zjarri dhe pronarët duhet të rivlerësojnë licencën çdo dy vjet.
Megjithatë, qeveria rajonale e Uellsit të Ri Jugor po përballet me kritika për ligjet e reja. Grupi "Palestine Action Sydney", "The Blak Caucus" dhe "Jews Against the Occupation 48" njoftuan se do të paraqesin sfidë ligjore kushtetuese ndaj "ligjeve drakonike kundër protestave", tha grupi palestinez në rrjetet sociale.
"Qeveria e kryeministrit të Uellsit të Ri Jugor, Chris Minns po shfrytëzon sulmin e tmerrshëm në Bondi për të avancuar një agjendë politike që shtyp kundërshtimin politik dhe kritikën ndaj Izraelit dhe kufizon liritë demokratike", tha grupi.
