Bota

Udhëheqësit evropianë mirëpresin masat e propozuara të bllokut kundër Izraelit

"Masat nuk synojnë popullin izraelit, por synojnë të tregojnë se Evropa nuk mund t'i pranojë veprimet e qeverisë izraelite në Gaza dhe në Bregun Perëndimor", tha presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa

İlayda Çakırtekin  | 18.09.2025 - Përdıtësım : 18.09.2025
Udhëheqësit evropianë mirëpresin masat e propozuara të bllokut kundër Izraelit

Stamboll

Udhëheqësit evropianë mirëpritën masat e propozuara të mërkurën nga Komisioni Evropian kundër Izraelit, transmeton Anadolu.

"Përshëndes propozimet e Komisionit Evropian për pezullimin e disa dispozitave tregtare të Marrëveshjes së Asociimit me Izraelin dhe për sanksionet kundër ministrave ekstremistë dhe kolonëve të dhunshëm si dhe kundër Hamasit. Tani u takon shteteve anëtare të vendosin", shkroi presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, në platformën e kompanisë amerikane të mediave sociale X.

Ai theksoi se masat nuk synojnë popullin izraelit, por synojnë të tregojnë se Evropa "nuk mund t'i pranojë veprimet e qeverisë izraelite në Gaza dhe në Bregun Perëndimor". Costa vuri në dukje se veprimet e Tel Avivit kanë shkuar "shumë përtej" të drejtës së tij legjitime për vetëmbrojtje.

"Situata në Gaza është katastrofike dhe e papranueshme. Një armëpushim i menjëhershëm është urgjent. Duhet të rivendoset qasja e plotë humanitare. Pengjet duhet të lirohen pa kushte", shtoi ai.

Ministri i Jashtëm i Irlandës, Simon Harris gjithashtu e përshëndeti propozimin si "jashtëzakonisht të rëndësishëm", duke treguar për "gjenocidin që po ndodh në Gaza" dhe duke përsëritur nevojën urgjente për veprim.

"Izraeli po kryen gjenocid kundër palestinezëve, siç u konfirmua dje nga një komision hetimor i pavarur i OKB-së. Evropa duhet të veprojë tani!", shkroi ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon në X, duke shprehur mbështetje për propozimet.

"Suedia i ka bërë thirrje prej kohësh BE-së të ofrojë propozime konkrete për të ushtruar presion mbi qeverinë izraelite", tha ministrja e Jashtme suedeze, Maria Malmer Stenergard.

"Suedia nuk mund t'i zgjidhë konfliktet në Lindjen e Mesme e vetme, por duke ecur përpara dhe duke punuar së bashku me shtetet e tjera anëtare të BE-së për të arritur vendime të përbashkëta, ne mund të bëjmë vërtet një ndryshim. Nevojitet armëpushim i menjëhershëm dhe një fund i përhershëm i armiqësive. Të gjitha pengjet duhet të lirohen dhe vuajtjet në Gaza duhet të marrin fund", tha ajo në X.

Komisionerja e BE-së për Barazinë, Gatishmërinë dhe Menaxhimin e Krizave, Hadja Lahbib tha se Komisioni tani po "përshpejton veprimet" dhe u bëri thirrje të tjerëve të bëjnë të njëjtën gjë. "Tani është koha që të tjerët të ngrihen dhe të mbrojnë të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare. Kjo është detyra e të gjithëve", tha Lahbib në X.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas zbuloi të mërkurën planet për të ulur nivelin e lidhjeve tregtare me Izraelin dhe për të sanksionuar zyrtarët e lartë për shkak të gjetjeve të shkeljeve të të drejtave të njeriut në Gaza, duke shënuar një ndryshim të madh në qasjen e bllokut ndaj Tel Avivit.

Komisioneri evropian për tregtinë dhe sigurinë ekonomike, Marosh Shefçoviç tha se propozimi synon dispozitat kryesore të Marrëveshjes Euro-Mesdhetare, përfshirë lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, prokurimin publik, konkurrencën dhe pronën intelektuale.

"Në praktikë, kjo do të thotë që importet nga Izraeli në BE do të humbasin aksesin preferencial në tregun e BE-së dhe se këtyre mallrave do t'u ngarkohen detyrime në nivelin që zbatohet për çdo vend tjetër të tretë me të cilin BE-ja nuk ka marrëveshje të tregtisë së lirë", tha ai në një konferencë për media në Bruksel.

Komisioni njoftoi gjithashtu sanksione ndaj grupit palestinez të rezistencës Hamas, ministrave ekstremistë të kabinetit të qeverisë izraelite dhe kolonëve të dhunshëm. Këshilli Evropian tani duhet ta miratojë vendimin unanimisht.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın