Udhëheqësit e BE-së takohen për zgjerimin dhe çështjet rreth Ukrainës
Duke u shprehur se monitorojnë nga afër zhvillimet në Bullgari, Michel tha se duan të nisin sa më shpejt negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. "Ky është një prioritet kryesor për ne. Ne do të bëjmë çmos për ta arritur këtë", tha Michel

Bruksel
Udhëheqësit e vendeve të Bashkimit Evropian (BE) janë mbledhur në Bruksel në një samit dyditor për të diskutuar shumë çështje, si Ballkani Perëndimor, zgjerimi, aplikimet e Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë, si dhe efektet e luftës Ukrainë-Rusi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Liderët sot po marrin pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel të Belgjikës. Në takim marrin pjesë edhe krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve të BE-së, si dhe të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Malit të Zi, Bosnjë e Hercegovinës dhe Serbisë.
Liderët do të diskutojnë për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, pas rënies së qeverisë në Bullgari, e cila pengoi bisedimet e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, para se të hynte në takimin me përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, tha se samiti i sotëm është i rëndësishëm sepse liderët e BE-së kanë vullnet të fortë politik për të rigjallëruar procesin e BE-së me Ballkanin Perëndimor.
Duke u shprehur se monitorojnë nga afër zhvillimet në Bullgari, Michel tha se duan të nisin sa më shpejt negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. "Ky është një prioritet kryesor për ne. Ne do të bëjmë çmos për ta arritur këtë", tha Michel.
Statusi kandidat ndaj Ukrainës dhe Moldavisë
Liderët e BE-së do të mbajnë një Samit të BE-së pasdite pas takimit me përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në samit do të diskutohet aplikimi i Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë për anëtarësim në BE.
Pritet që Ukrainës dhe Moldavisë t'i jepet statusi i "vendit kandidat" në përputhje me opinionin e Komisionit të BE-së dhe do të merret një vendim për rivlerësimin e situatës së Gjeorgjisë më vonë.
"Sot do të jetë një pikë kthese për BE-në. Ne do të bëjmë një zgjedhje gjeopolitike. Besoj se sot do t'i japim statusin e kandidaturës Ukrainës dhe Moldavisë", tha Michel.
Në Samitin e Liderëve të BE-së, i cili do të vazhdojë edhe nesër, do të diskutohen efektet globale dhe rajonale të sulmit rus ndaj Ukrainës, rritja e çmimeve, veçanërisht ushqimi dhe energjia, propozimi i Francës për krijimin e një "Komuniteti Politik Evropian", marrëdhëniet Turqi-Greqi, transporti i drithit të Ukrainës nga Deti i Zi dhe tensioni i ri në lidhje me hyrjen e Rusisë në Kaliningrad.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.