Bota

Udhëheqësi i Koresë së Veriut i kërkon SHBA-së të heqë dorë nga kërkesa për çarmatosje bërthamore

"Bota e di shumë mirë se çfarë bën SHBA-ja pasi detyron vendet e tjera të heqin dorë nga armët e tyre bërthamore dhe të çarmatosen", tha udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un

Bekir Aydoğan  | 22.09.2025 - Përdıtësım : 23.09.2025
Udhëheqësi i Koresë së Veriut i kërkon SHBA-së të heqë dorë nga kërkesa për çarmatosje bërthamore

Ankara

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, i ka bërë thirrje SHBA-së të heqë dorë nga kërkesa e saj për çarmatosje bërthamore si parakusht për rifillimin e diplomacisë së bllokuar prej kohësh, transmeton Anadolu.

Në një fjalim në parlament, të transmetuar nga media shtetërore e Koresë së Veriut, Kim tha se nuk ka ndërmend të rifillojë dialogun me Korenë e Jugut.

"Bota e di shumë mirë se çfarë bën SHBA-ja pasi detyron vendet e tjera të heqin dorë nga armët e tyre bërthamore dhe të çarmatosen", tha Kim, duke shtuar se ata kurrë nuk do të heqin dorë nga armët e tyre bërthamore dhe se nuk do të ketë negociata tregtare me vendet armiqësore në këmbim të heqjes së sanksioneve.

Kim tha se kishte kujtime të bukura nga takimet e tij të para me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, por shtoi se nuk ka arsye për të mos rifilluar bisedimet me SHBA-në nëse Washingtoni braktis obsesionin e tij imagjinar lidhur me çarmatosjen bërthamore.

- Negociatat mbi programin bërthamor midis SHBA-së dhe Koresë së Veriut

Trump dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, u takuan për herë të parë në Singapor më 12 qershor 2018 dhe ranë dakord për çarmatosje bërthamore të Gadishullit Korean dhe vendosjen e paqes së qëndrueshme.

Të dy udhëheqësit u takuan përsëri në Vietnam më 26-27 shkurt 2019, por samiti përfundoi më shpejt se sa pritej dhe pa një marrëveshje. Më në fund, më 30 qershor 2019, të dy udhëheqësit u takuan në zonën e demilitarizuar midis Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut dhe ranë dakord të vazhdonin negociatat bërthamore.

Takimet në nivel pune midis dy vendeve, të mbajtura në Suedi në tetor 2019 u ndërprenë, sepse sipas koreanoveriorëve, amerikanët mbanin "qëndrime dhe veprime të vjetra".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın