Të sëmurët me kancer në Gaza nuk mund të trajtohen për shkak të bllokadës dhe sulmeve izraelite
11 mijë pacientë me kancer në Gaza janë të privuar nga trajtimi dhe shërbimet shëndetësore dhe theksohet se 5 mijë pacientë me kancer duhet të transferohen urgjentisht jashtë vendit për kimioterapi dhe radioterapi

Gaza
Të sëmurët me kancer nuk mund të marrin më kimioterapi për shkak të ndërprerjeve mjekësore në Gaza, ku Izraeli vazhdon sulmet e tij të dhunshme dhe mbi të cilën ka zbatuar bllokadë të rreptë që nga 7 tetori 2023, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës thuhet se për shkak të sulmeve të vazhdueshme përmasat e katastrofës që përjetojnë pacientët me kancer është dyfishuar me evakuimin e Spitalit "Gaza-Evropë" dhe Qendrës së Kancerit në Gaza në qytetin Khan Younis, në jug të rajonit.
Në deklaratë tërhiqet vëmendja se 11 mijë pacientë me kancer në Gaza janë të privuar nga trajtimi dhe shërbimet shëndetësore dhe theksohet se 5 mijë pacientë me kancer duhet të transferohen urgjentisht jashtë vendit për kimioterapi dhe radioterapi.
Mungesa e pajisjeve të diagnostikimit të hershëm dhe monitorimit për pacientët me kancer përkeqëson më tej gjendjen shëndetësore të pacientëve, thuhet në deklaratën ku vihet në dukje se 64 për qind e barnave për kancerin kanë mbaruar plotësisht.
Më tej në deklaratë bëhet e ditur se pacientët me kancer nuk mund të marrin më kimioterapi për shkak të ndërprerjeve mjekësore.
"Pacientët me kancer janë nën një bllokadë katastrofike në aspektin shëndetësor, social, psikologjik dhe ekonomik. Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë presion mbi Izraelin për të siguruar që pacientët të mund të udhëtojnë jashtë vendit për trajtim dhe që të sigurohen ilaçet e nevojshme", thuhet në deklaratë.