Të shtëna në verilindje të Bosnjës, policia kërkon autorët
Policia ka bllokuar zonën dhe po zhvillon hetim, ndërsa të shtënat ndodhën pranë një shkolle fillore dhe objekteve të tjera
Sarajevë
Persona të paidentifikuar hapën zjarr sot herët në mëngjes në një rrugë në Kalesija, në verilindje të Bosnjë e Hercegovinës, ndërsa forca të shumta policore janë në terren në kërkim të autorëve, konfirmoi policia, transmeton Anadolu.
Siç raportuan mediat në BeH, një dyqan i artarisë është grabitur në qendër të Kalesijës.
Mëngjesin e sotëm në orën 07:35 në qendër të Kalesijës ndodhën të shtëna kur persona të panjohur përdorën armë zjarri. Edhe pse pati informacione se është qëlluar ndaj oficerëve të policisë, Ministria e Brendshme e Kantonit të Tuzllës tha se ende nuk kanë informacion të saktë se ndaj kujt është qëlluar.
"U raportua se një grabitje po ndodhte në qendër të Kalesijës në një dyqan të artarisë dhe se u përdorën armë zjarri. Të gjitha patrullat e disponueshme nga Stacioni i Policisë së Kalesijës, Departamenti i Policisë së Kalesijës, ekipet e ndërhyrjes së shpejtë të Njësisë së Mbështetjes Speciale të Policisë u dërguan në vendngjarje. Patrullat e policisë nga Stacioni i Policisë së Sapnës, Stacioni i Policisë së Zhivinicës dhe oficerët e policisë nga Stacioni i Policisë së Zvornikut janë në terren (në zonën më të gjerë), duke marrë parasysh se autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes", tha Ministria e Brendshme e Kantonit të Tuzllës.
Mediat raportuan se grabitësit dyshohet se kanë qëlluar mbi policinë, informacion që MPB-ja nuk e ka konfirmuar ende. Në aktivitete janë përfshirë edhe oficerët e policisë nga Policia Kufitare e BeH-së.
Policia ka bllokuar zonën dhe një hetim është duke u zhvilluar, ndërsa të shtënat ndodhën pranë një shkolle fillore dhe objekteve të tjera.
