Të paktën 6 të vdekur nga përplasja e avionit në Kenia
Dy banorë të ndërtesës ku u përplas avioni gjithashtu kanë humbur jetën në incidentin që ndodhi rreth 20 kilometra në verilindje të kryeqytetit Nairobi

Nairobi
Numri i viktimave nga përplasja e një avioni të evakuimit mjekësor në Kenia është rritur në të paktën gjashtë pasi zyrtarët konfirmuan se të katër personat në bord dhe dy në tokë humbën jetën, transmeton Anadolu.
Komisari i Qarkut Kiambu, Henry Wafula, u tha gazetarëve se viktimat në bord, të cilat i përkisnin avionit të operuar nga "AMREF Flying Doctors", përfshinin pilotin, dy infermierë dhe një mjek.
Dy banorë të ndërtesës ku u përplas avioni gjithashtu kanë humbur jetën në incidentin që ndodhi rreth 20 kilometra në verilindje të kryeqytetit Nairobi.
Komandanti i Policisë së Qarkut Kiambu, Maurice Odanga, konfirmoi viktimat, duke theksuar se është nisur një hetim.
Pamjet në rrjetet sociale tregojnë tym të zi të dendur që ngrihej nga vendi i ngjarjes, me qindra banorë të mbledhur teksa ekipet e shpëtimit ndërhynin mes flakëve, mbeturinave dhe pluhurit.
Identiteti i viktimave dhe shkaku i përplasjes nuk janë bërë ende publike.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.