Të paktën 55 migrantë humbën jetën pasi varka u përmbys në brigjet e Jemenit
Raportohet se një varkë që transportonte dhjetëra emigrantë, kryesisht nga Etiopia, u fundos në brigjet e provincës Abyan

Sana
Të paktën 55 migrantë të parregullt afrikanë humbën jetën pasi varka u përmbys në brigjet e Jemenit, thanë zyrtarët të dielën, raporton Anadolu.
Varka me dhjetëra migrantë, kryesisht nga Etiopia, u fundos në brigjet e provincës Abyan në Jemenin jugor në agim për shkak të kushteve të këqija të motit, tha për Anadolu një burim sigurie.
Drejtori i Zyrës së Shëndetësisë në Zinjibar, kryeqytetin e provincës, Abdel Qader Bajameel tha se trupat e 54 etiopianëve dhe një jemenasi janë gjetur. Autoritetet ende po kërkojnë dhjetëra pasagjerë të zhdukur.
Bajameel tha se të gjithë viktimat janë varrosur.
Më herët të dielën, policia e Abyanit tha se ekipet e shpëtimit po kryejnë operacion humanitar në shkallë të gjerë për të gjetur trupat, duke shtuar se migrantët u përpoqën të arrinin në Jemen nëpërmjet një varke kontrabande nga Briri i Afrikës.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), më shumë se 60 mijë migrantë të paligjshëm kanë mbërritur në Jemen vetëm në vitin 2024.
Jemeni është destinacion i zakonshëm për qindra migrantë të paligjshëm nga Briri i Afrikës, veçanërisht nga Somalia dhe Etiopia, të cilët ndërmarrin këtë udhëtim të rrezikshëm me shpresën për të arritur në vendet e Gjirit për të kërkuar kushte më të mira jetese.