Të paktën 32 të vdekur në RD të Kongos pas shembjes së urës në minierën e bakrit
Shumë punëtorë thuhet gjithashtu se janë bllokuar nën rrënoja, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë
Rwanda
Të paktën 32 persona humbën jetën kur u shemb një urë në një minierë bakri në Republikën Demokratike të Kongos, tha të dielën një zyrtar i qeverisë rajonale, transmeton Anadolu.
Duke folur me gazetarët, ministri i Brendshëm i provincës, Roy Kaumba Mayonde, ia atribuoi aksidentin e së shtunës "kalimit të nxituar të gërmuesve", gjë që sipas tij shkaktoi shembjen e urës së improvizuar në një hendek të përmbytur.
Mayonde tha se ka nisur një hetim për të përcaktuar ata që janë përgjegjës për tragjedinë.
"Pavarësisht një ndalimi të rreptë për hyrjen në minierë për shkak të shirave të rrëmbyeshëm dhe rrezikut të rrëshqitjeve të dheut, gërmuesit e paligjshëm hynë me forcë në minierë", tha ai.
Raportet e mediave lokale më parë thanë se deri në 70 persona humbën jetën në incidentin në minierën Kalando në bashkinë e Mulondo në provincën Lualaba.
Një video që qarkullon në internet, e filmuar nga larg, tregon një pjesë të madhe të minierës duke u shembur, me ata që ishin të pranishëm në vend në përpjekje për të shpëtuar rrezikut në panik.
Shumë punëtorë thuhet gjithashtu se janë bllokuar nën rrënoja, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë.
Aksidentet në miniera janë të zakonshme në Republikën Demokratike të Kongos për shkak të minierave të parregulluara, mangësive në siguri dhe infrastrukturës së pamjaftueshme.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
