Bota

Tusk: Polonia do të ndërtojë ushtrinë më të fuqishme në Evropë

Kryeministri polak, Donald Tusk njoftoi planet për të vendosur një rregull të rreptë "Polonia e para" në prokurimin publik

Melike Pala  | 02.01.2026 - Përdıtësım : 02.01.2026
Tusk: Polonia do të ndërtojë ushtrinë më të fuqishme në Evropë

Bruksel

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk ka shpallur vitin 2026 një "vit të përshpejtimit polak", duke premtuar se do të ndërtojë "ushtrinë më të fuqishme në Evropë", do të rrisë investimet në infrastrukturë dhe do të mbajë qëndrim më të ashpër ndaj krimit, transmeton Anadolu.

Në një takim të vitit të ri, siç raporton "TVP World", Tusk tha se qeveria e tij do të përshpejtojë zgjerimin ushtarak, do të nisë projekte të mëdha infrastrukturore dhe do të vazhdojë atë që e quajti "ripolonizim" dhe rindërtim të industrive kryesore, përfshirë sektorin e mbrojtjes.

"Ne do të përshpejtojmë ndërtimin e ushtrisë më të fuqishme në Evropë. Ne do të përshpejtojmë investimet e mëdha në infrastrukturë. Ky do të jetë një vit i zhvillimit strategjik të shpejtë në Detin Baltik", tha Tusk.

Ai gjithashtu njoftoi planet për të vendosur një rregull të rreptë "Polonia e para" në prokurimin publik.

Tusk premtoi masa më të ashpra kundër krimit, duke theksuar se autoritetet do të "ashpërsojnë masat kundër kriminelëve të të gjitha llojeve", përfshirë tregtarët e drogës, politikanët e korruptuar dhe ata që ai i përshkroi si militantë pro-rusë.

"Kushdo, pa përjashtim, që shkel ligjin do të pendohet shumë vitin e ardhshëm", tha ai duke shtuar se Polonia do të bëhet "një oazë e sigurisë". Duke reflektuar mbi vitin 2025, Tusk e përshkroi vitin e kaluar si një pikë kthese për vendin, pavarësisht paqëndrueshmërisë globale.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.