Turqia thekson stabilitetin në Venezuelë, bën thirrje të “veprohet me përmbajtje” pas sulmeve të SHBA-së
Duke theksuar se Ankaraja po i ndjek “nga afër” zhvillimet e fundit në Venezuelë, ministria shprehu gatishmërinë e Turqisë për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës atje brenda kornizës së së drejtës ndërkombëtare
Stamboll
Turqia ka deklaruar se i kushton rëndësi stabilitetit në Venezuelë, si dhe paqes dhe mirëqenies së popullit venezuelas, transmeton Anadolu
“Për të parandaluar që situata aktuale të çojë në pasoja të pafavorshme për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare, u bëjmë thirrje të gjitha palëve të veprojnë me përmbajtje”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë, pas sulmeve amerikane në territorin venezuelas dhe raportimeve për kapjen e presidentit të vendit, Nicolas Maduro.
Duke theksuar se Ankaraja po i ndjek “nga afër” zhvillimet e fundit në Venezuelë, ministria shprehu gatishmërinë e Turqisë për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës atje brenda kornizës së së drejtës ndërkombëtare.
“Në këtë proces, ambasada jonë në Karakas vazhdon komunikimin e pandërprerë dhe koordinimin e nevojshëm me shtetasit tanë në vend”, tha ministria turke.
Më herët, qeveria e Venezuelës akuzoi SHBA-në për sulme ndaj objekteve civile dhe ushtarake në disa shtete të vendit dhe shpalli gjendje emergjence kombëtare.
Më vonë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në platformën e tij Truth Social konfirmoi se SHBA-ja kishte kryer një “sulm në shkallë të gjerë”, duke shtuar se presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro dhe bashkëshortja e tij ishin kapur dhe ishin larguar jashtë vendit.
Sulmet erdhën pas muajsh tensionesh me SHBA-në, e cila e akuzoi Maduron për përfshirje në trafik droge. Maduro ka mohuar se është drejtues karteli dhe ka shprehur gatishmërinë për të zhvilluar bisedime.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
