Turqia po monitoron sigurinë e qytetarëve të saj në vendet e Lindjes së Mesme mes luftës
Keceli tha se po merren masat e nevojshme për të mbrojtur qytetarët turq në vendet e shënjestruara nga sulmet në rajon, si dhe theksoi se kushtet në rajon po ndryshojnë me shpejtësi
Stamboll
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, Oncu Keceli, ka bërë të ditur se qeveria po u ofron ndihmë qytetarëve të saj përmes misioneve diplomatike në vendet e Lindjes së Mesme të prekura nga lufta, e cila filloi me sulmet e përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Iranit të shtunën, transmeton Anadolu.
Keceli në një postim në platformën amerikane të mediave sociale X tha se po merren masat e nevojshme për të mbrojtur qytetarët turq në vendet e shënjestruara nga sulmet në rajon.
Ai theksoi se misionet diplomatike të Turqisë jashtë vendit operojnë linja emergjente 24 orë në ditë, duke shtuar se qytetarët duhet të ndjekin nga afër njoftimet e përfaqësive diplomatike turke në vendet ku ndodhen.
Keceli theksoi se qytetarët turq mund të largohen nga Iraku, Irani, Izraeli, Libani, Arabia Saudite, Siria, Omani dhe Jordania përmes rrugëve të ndryshme të transportit, ndërsa misionet diplomatike në këto vende po këshillojnë për organizimin e udhëtimeve të sigurta.
“Aktualisht nuk ka lidhje ajrore direkte nga Bahreini, Katari dhe Kuvajti drejt Turqisë, ndërsa fluturimet nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Turqisë janë të rralla dhe kryhen vetëm në rrethana të jashtëzakonshme”, shtoi ai.
Po bëhen përpjekje për të organizuar linja autobusësh për të lehtësuar transferimin tokësor të qytetarëve turq nga këto katër vende drejt Arabise Saudite dhe Omanit, prej nga ata do të mund të fluturojnë drejt Turqisë. Megjithatë, tha ai, vendosja e këtyre linjave autobusësh varet nga miratimi i autoriteteve lokale.
Keceli theksoi se kushtet në rajon po ndryshojnë me shpejtësi dhe u bëri thirrje qytetarëve turq të ndjekin njoftimet e misioneve diplomatike në vendet ku po qëndrojnë.
Deklarata erdhi mes ofensivës së vazhdueshme Izrael-SHBA ndaj Iranit, e cila sipas raportimeve ka vrarë më shumë se 1 mijë persona që nga e shtuna, përfshirë liderin suprem Ali Khamenei dhe zyrtarë të lartë ushtarakë.
Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që synojnë Izraelin, si dhe disa vende të Gjirit ku ndodhen baza dhe asete të SHBA-së.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
