Turqia i dërgon ushqim dhe furnizime mjekësore Flotiljes Globale Sumud
Gjysmëhëna e Kuqe Turke i dërgoi ushqim dhe ndihmë mjekësore anijeve të flotiljes, e cila po vazhdon udhëtimin nëpër Mesdhe në zonën midis Kretës, ishullit të Qipros dhe Egjiptit

Stamboll
Gjysmëhëna e Kuqe Turke i ka siguruar ushqim dhe furnizime mjekësore Flotiljes Globale Sumud, e cila është në rrugë për të dërguar ndihmë humanitare në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Gjysmëhëna e Kuqe Turke i dërgoi ushqim dhe ndihmë mjekësore anijeve të flotiljes, e cila po vazhdon udhëtimin nëpër Mesdhe në zonën midis Kretës, ishullit të Qipros dhe Egjiptit.
Turqia evakuon pasagjerë nga anija në rrezik
Sot më herët, Turqia koordinoi evakuimin e pasagjerëve nga anija e flotiljes Johnny M pasi ajo kërkoi ndihmë për shkak të mbushjes së saj me ujë.
Gjysmëhëna e Kuqe Turke dhe autoritete të tjera ndërmorën veprime për të koordinuar evakuimin nga anija në rrezik, e cila transportonte pasagjerë nga vende të tilla si Luksemburgu, Franca, Finlanda, Meksika dhe Malajzia.
Në platformën amerikane të mediave sociale Instagram, flotilja theksoi se operacioni u krye pa probleme falë koordinimit të shpejtë të qeverisë turke dhe kontributeve të Gjysmëhënës së Kuqe Turke në terren gjatë procesit të evakuimit.
Flotilja e ndihmës për Gazën
Flotilja Globale Sumud, që përfshin dhjetëra anije, ka lundruar drejt Gazës për ditë të tëra. Flota mbart një sasi të madhe ndihme humanitare, veçanërisht furnizime mjekësore dhe përbën flotën më të madhe që është nisur për në Gaza deri më sot.
Sumud, që do të thotë "qëndrueshmëri" ose "vendosmëri e palëkundur" në gjuhën arabe, fitoi rëndësi të re midis popullit palestinez pas luftës arabo-izraelite të vitit 1967 (Lufta 6-ditore) për të përshkruar shtypjen dhe rezistencën.
Koncepti i Sumud i referohet kërkimit të mënyrave për t'i rezistuar pushtimit dhe për të ndërtuar institucione alternative përmes qëndrimit të palestinezëve në tokën e tyre, duke mbajtur gjallë identitetin dhe kulturën palestineze, si dhe të mosbindjes civile jo të dhunshme. Në Palestinë, pema e ullirit dhe një fshatare shtatzënë përdoren për të ilustruar këtë koncept.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.