Turqia dënon hyrjen e ministrit izraelit të ekstremit të djathtë në Xhaminë Al-Aksa
“Veprimet e tilla nga qeveria Netanyahu nuk do ta ndryshojnë kurrë statusin historik dhe ligjor të Xhamisë Al-Aksa”, tha Ministria e Jashtme e Turqisë

Stamboll
Turqia dënoi bastisjen e një ministri izraelit të ekstremit të djathtë në Xhaminë Al-Aksa, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë për shtyp, Ministria e Jashtme turke tha: “Dënojmë bastisjen e sotme në Xhaminë Al-Aksa nga një anëtar i qeverisë izraelite, ngritjen e flamurit të shtetit pushtues nga një anëtar i parlamentit në Xhaminë Al-Aksa dhe veprimet provokuese të kryera nga kolonët ekstremistë gjatë një marshimi në Kuds”.
Në deklaratë thuhet se veprimet e tilla janë “manifestim i politikave të vazhdueshme të Izraelit për gjenocid dhe zhvendosje të detyruar kundër popullit palestinez” dhe se ato përfaqësojnë përpjekjen izraelite për të “ndryshuar identitetin historik dhe demografik të territoreve të pushtuara palestineze dhe për t’i aneksuar ato”.
Ministria tha se “veprimet e tilla nga qeveria Netanyahu nuk do ta ndryshojnë kurrë statusin historik dhe ligjor të Xhamisë Al-Aksa”.
Më shumë se 1.500 kolonë të paligjshëm hynë sot me forcë në kompleksin e xhamisë që nga mëngjesi nën mbrojtjen e policisë për të shënuar pushtimin e Kudsit Lindor, me shumë prej tyre që kryen rituale provokuese në oborrin e xhamisë.
Më herët, ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir bastisi kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar për të shënuar pushtimin izraelit të qytetit, duke shkaktuar një valë dënimesh.
“Në fakt, ka një numër të madh hebrenjsh që mblidhen këtu dhe është gëzim ta shohësh këtë”, tha Ben-Gvir në një video të tij brenda kompleksit të xhamisë.
“Sot, hebrenjtë mund të luten dhe të përulen këtu. E falënderojmë Zotin për këtë”, tha ai.
Ministri ekstremist u shoqërua në turneun e tij nga disa ministra izraelitë, përfshirë ministrin e Negevit, Galilesë dhe Rezistencës Kombëtare Yitzhak Wasserlauf dhe anëtarin e Knessetit Yitzhak Kroizer.
Që nga shpërthimi i luftës në Gaza më 7 tetor 2023, autoritetet izraelite kanë vendosur masa të rrepta që kufizojnë qasjen e palestinezëve nga Bregu Perëndimor i pushtuar në Kudsin Lindor.
Palestinezët i konsiderojnë këto kufizime si pjesë të përpjekjeve më të gjera të Izraelit për të judaizuar Kudsin Lindor, ku ndodhet Xhamia Al-Aksa, dhe për të fshirë identitetin e tij arab dhe islamik.
Autoritetet e vendeve të shenjta islame të Kudsit i quajnë bastisje hyrjet kolonëve hebrenj brenda kompleksit të Xhamisë Al-Aksa.