Bota

Turqia dhe vendet e Gjirit vendosin një objektiv tregtar prej 15 miliardë dollarësh

"Në vitin 2025, 16 për qind e vëllimit tregtar të Turqisë me vendet e GCC-së ishte me Kuvajtin në 713 milionë dollarë, Katarin në 1.1 miliardë dollarë dhe Omanin në 1.3 miliardë dollarë”, tha ministria turke

Zeynep Duyar  | 24.10.2025 - Përdıtësım : 24.10.2025
Turqia dhe vendet e Gjirit vendosin një objektiv tregtar prej 15 miliardë dollarësh Foto: AA/Arkiv

Ankara

Ministria turke e Tregtisë ka bërë të ditur se Turqia dhe vendet e Gjirit kanë vendosur një objektiv tregtar prej 15 miliardë dollarësh pas vizitës së presidentit turk Recep Tayyip Erdogan në Kuvajt, Katar dhe Omar, transmeton Anadolu.

Ministri i Tregtisë, Omer Bolat, shoqëroi presidentin Erdogan në vizitat e tij në vendet e Gjirit nga 21 deri në 23 tetor për të thelluar marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare, si dhe për të rritur bashkëpunimin me këto vende.

Marrëveshja e Tregtisë së Lirë (FTA) e Këshillit të Bashkëpunimit midis Turqisë dhe vendeve të Gjirit (GCC) u negociua gjatë vizitave, duke mbuluar tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, investimet, tregtinë digjitale dhe investimet në tregtinë digjitale.

Eksportet e Turqisë në vendet e Gjirit arritën në 14.7 miliardë dollarë, ndërsa importet e saj nga këto vende arritën në 13 miliardë dollarë vitin e kaluar, duke përbërë një vëllim tregtar prej 27.7 miliardë dollarësh.

“Në vitin 2025, 16 për qind e vëllimit tregtar të Turqisë me vendet e GCC-së ishte me Kuvajtin në 713 milionë dollarë, Katarin në 1.1 miliardë dollarë dhe Omanin në 1.3 miliardë dollarë”, tha ministria turke.

Bolat u takua me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë së Katarit, Sheikh Faisal bin Sani Al Sani, si dhe me ministrin e Tregtisë, Industrisë dhe Promovimit të Investimeve të Omanit, Qais Mohammed Al Yousef, për të negociuar Marrëveshjen e Tregtisë Turqi-GCC.

Ministria e Tregtisë e Turqisë tha se kontraktorët dhe investitorët turq mund të vlerësojnë mundësitë në rajonin e Gjirit përmes planeve strategjike të Vizionit të Kuvajtit 2035, Vizionit Kombëtar të Katarit 2030 dhe Vizionit të Omanit 2040 që përfshijnë bashkëpunim kryesisht në projekte infrastrukturore dhe super-strukturore.

Biznesi kontraktues turk ndërmori gjithsej 315 projekte me vlerë 37.5 miliardë dollarë në të tre vendet deri më sot dhe do të vazhdojë të luajë një rol kyç në planet e vizionit të zhvillimit të vendeve.

Ministria e Tregtisë tha se do të rrisë më tej efektivitetin e institucioneve dhe organizatave të saj për të shfrytëzuar mundësitë rajonale dhe globale.

"Projekti i Rrugës së Zhvillimit, që lidh Gjirin me Evropën, bashkëpunimi efektiv dhe shfrytëzimi i mundësive që do të krijohen midis komuniteteve të biznesit të Kuvajtit, Katarit, Omanit dhe Turqisë në rindërtimin e Sirisë janë ndër fushat kryesore të bashkëpunimit", tha ministria.

Raundi i dytë i negociatave për Komitetin e Përbashkët Ekonomik dhe Tregtar (JETCO) Turqi-Katar do të mbahet në Doha.

Bolat, ministri turk i Industrisë dhe Teknologjisë, Mehmet Fatih Kacir dhe ministri i Omanit Al Yousef zhvilluan një takim për të diskutuar dhe trajtuar zhvillimin e kapacitetit institucional në fushat prioritare nëpërmjet shkëmbimit të ekspertëve, forcimin e bashkëpunimit në krijimin dhe funksionimin e zonave industriale dhe identifikimin e zonave tregtare dhe të investimeve.

Ministrat nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për mbrojtjen e konkurrencës dhe parandalimin e monopolizimit.

"Prioriteti ynë është t'i çojmë marrëdhëniet tona në nivelin tjetër dhe të rrisim vëllimin tregtar të Turqisë me Kuvajtin, Katarin dhe Omanin në 5 miliardë dollarë me secilën", thuhet në deklaratën e Ministrisë së Tregtisë së Turqisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.