Bota

Turqia dhe SHBA-ja njohin rëndësinë e ruajtjes së integritetit territorial të Sirisë

"Shtetet e Bashkuara dhe Turqia ndajnë një vizion për Sirinë - e qëndrueshme dhe në paqe me veten dhe fqinjët e saj", u tha në një deklaratë të përbashkët pas takimit te Grupit të Punës për Sirinë në Washington

Diyar Güldoğan  | 21.05.2025 - Përdıtësım : 21.05.2025
Turqia dhe SHBA-ja njohin rëndësinë e ruajtjes së integritetit territorial të Sirisë

Washington

Delegacionet nga Turqia dhe SHBA-ja diskutuan "prioritetet e përbashkëta" në Siri në bisedimet e së martës, u njoftua në një deklaratë të përbashkët të palëve, transmeton Anadolu.

SHBA-ja priti Turqinë për një raund të ri të Grupit të Punës për Sirinë në Washington, ku delegacioni turk u drejtua nga zëvendësministri i Jashtëm Nuh Yilmaz dhe pala amerikane nga zëvendëssekretari i Shtetit Christopher Landau.

Ambasadori turk në SHBA Sedat Onal dhe ambasadori i SHBA-së në Turqi Thomas Barrack ishin të pranishëm në bisedime.

Turqia dhe SHBA-ja janë të përkushtuara për të rritur bashkëpunimin dhe koordinimin mbi stabilitetin dhe sigurinë në Siri, siç është përcaktuar nga presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe homologu i tij amerikan Donald Trump, thuhet në deklaratën e përbashkët.

"Shtetet e Bashkuara dhe Turqia ndajnë një vizion për Sirinë - e qëndrueshme dhe në paqe me veten dhe fqinjët e saj - i cili gjithashtu do t’u lejojë miliona sirianëve të zhvendosur të kthehen në shtëpi", theksohet në deklaratë.

Dy vendet e njohin rëndësinë e ruajtjes së integritetit territorial të Sirisë, thotë deklarata, duke shtuar: "Një Siri e qëndrueshme dhe e bashkuar, e cila nuk ofron strehë të sigurt për organizatat terroriste, do të mbështesë sigurinë dhe prosperitetin rajonal".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.