Bota

Turqia dhe Iraku nënshkruajnë mekanizëm financimi për të çuar përpara projektet e bashkëpunimit për ujin

Ministrat i jashtëm turk dhe ai irakian nënshkruan mekanizmin që mundëson zbatimin e marrëveshjes së ujit të vitit 2024, duke hapur derën për kompanitë turke për të modernizuar infrastrukturën ujore të Irakut.

Fatma Zehra Solmaz  | 02.11.2025 - Përdıtësım : 03.11.2025
Turqia dhe Iraku nënshkruajnë mekanizëm financimi për të çuar përpara projektet e bashkëpunimit për ujin Foto: Murtadha Al-Sudani/AA

Stamboll

ANKARA/STAMBOLL (AA) – Turqia dhe Iraku nënshkruan sot një “dokument mekanizmi” për financimin e projekteve të bashkëpunimit në fushën e ujit, si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë kornizë mes dy vendeve, transmeton Anadolu.

Sipas burimeve diplomatike turke, ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan u prit nga kryeministri irakian Mohammed Shia Al-Sudani gjatë vizitës së tij zyrtare në Bagdad.

Pas takimit, Fidan dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm irakian Fuad Hussein nënshkruan “Dokumentin e Mekanizmit për Financimin e Projekteve brenda Marrëveshjes Kornizë për Bashkëpunim në Fushën e Ujit mes Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Qeverisë së Republikës së Irakut”.

Zyrtarët thanë se mekanizmi përcakton rregullat për zbatimin e “Marrëveshjes Kornizë për Bashkëpunimin në Fushën e Ujit”, e nënshkruar gjatë vizitës së presidentit turk Recep Tayyip Erdogan në Bagdad në vitin 2024.

Sipas mekanizmit, projektet e modernizimit të infrastrukturës dhe ndërtimit që synojnë përdorimin efikas, efektiv dhe të qëndrueshëm të burimeve ujore të Irakut do të realizohen nga kompani turke, ndërsa financimi do të sigurohet përmes një sistemi të bazuar në shitjet e naftës irakiane.

Përmes këtij rregullimi, Turqia synon të rrisë kontributin e saj në përmirësimin e infrastrukturës ujore të Irakut dhe në rritjen e efikasitetit të menaxhimit të burimeve ujore të vendit.

Marrëveshja Kornizë për Bashkëpunim në Fushën e Ujit, e nënshkruar më 22 prill 2024, dhe dokumenti i sotëm i Mekanizmit të Financimit shënojnë fillimin e një faze të re strategjike në marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve. Pritet që kompanitë kontraktuese turke të kenë qasje më të lehtë në tregun irakian dhe të sigurojnë mundësi të reja në projekte strategjike.

Duke marrë parasysh rënien e burimeve ujore në rajon si pasojë e ndryshimeve klimatike globale dhe rritjen e stresit ujor që po ndihet edhe në Turqi, konsiderohet se zgjidhjet afatgjata përmes bashkëpunimit rajonal janë thelbësore.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.