Bota

Turqia dhe Finlanda mbështesin bashkëpunimin më të fortë në kuadër të NATO-s dhe BE-së

Ministri i jashtëm turk dhe ajo finlandeze u zotuan të zgjerojnë projektet e përbashkëta të mbrojtjes dhe të adresojnë sfidat rajonale të sigurisë nga Ukraina në Gaza

Mehmet Şah Yılmaz, Büşranur Keskinkılıç  | 05.11.2025 - Përdıtësım : 05.11.2025
Turqia dhe Finlanda mbështesin bashkëpunimin më të fortë në kuadër të NATO-s dhe BE-së

Helsinki/Stamboll

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, tha sot se vendi i tij synon të zgjerojë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes me Finlandën përmes projekteve konkrete mes institucioneve dhe kompanive, duke e përshkruar këtë përpjekje si një hap që do të forcojë fuqinë parandaluese të NATO-s dhe do të rrisë kapacitetin e përgjithshëm të sigurisë dhe mbrojtjes së Evropës, raporton Anadolu.

Fidan i bëri këto komente në një konferencë të përbashkët për media në Helsinki me homologen e tij finlandeze, Elina Valtonen, pas bisedimeve të fokusuara në marrëdhëniet dypalëshe dhe sigurinë rajonale.

“Turqia është një aleate e NATO-s që jep kontribute kritike për sigurinë e Evropës”, tha Fidan, duke nënvizuar se ai dhe Valtonen diskutuan gjithashtu çështje më të gjera të sigurisë evropiane, ndërsa Finlanda aktualisht është kryesuese e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në vitin 2025.

Ai tha se pjesëmarrja e Turqisë në iniciativat e sigurisë dhe mbrojtjes të Bashkimit Evropian, veçanërisht mekanizmin SAFE (Siguria dhe Mbrojtja e Evropës), do të ishte “me rëndësi të madhe”.

Fidan shtoi se po krijohet një realitet i ri strategjik globalisht dhe në mbarë Evropën. “Bashkimi Evropian do të ishte i paplotë pa Turqinë – veçanërisht në rrethanat aktuale. Po ashtu, Turqia do të humbiste një komponent kyç pa BE-në”, tha ai.

“Ne besojmë se BE-ja dhe Turqia duhet të avancojnë procesin e integrimit pa vonesa dhe pa justifikime. Qeveria jonë është plotësisht e përkushtuar për këtë qëllim dhe ne mirëpresim vullnetin e ri politik nga liderët evropianë”, shtoi kryediplomati turk.


– Bashkëpunimi ekonomik dhe i mbrojtjes

Fidan tha se Turqia dhe Finlanda po punojnë për të rritur lidhjet ekonomike, me tregtinë dypalëshe që arriti rreth 1,8 miliard dollarë në vitin 2024.

Ai tha se dy vendet janë të gatshme të bashkëpunojnë më ngushtë në fusha si teknologjia e informacionit dhe energjia e rinovueshme, dhe theksoi rajonin e Arktikut si një zonë të mundshme bashkëpunimi.

Sa i përket mbrojtjes, Fidan kujtoi se të dy vendet nënshkruan një “Memorandum Mirëkuptimi për Bashkëpunim në Industrinë e Mbrojtjes” në qershor. “Kjo marrëveshje hap një kapitull të ri në prodhimin e përbashkët, ndarjen e teknologjisë dhe zhvillimin e kapaciteteve”, tha ai.


– Valtonen: Finlanda e vlerëson rolin e Turqisë në sigurinë evropiane

Nga ana e saj, ministrja e Jashtme finlandeze Elina Valtonen vlerësoi kontributet e Turqisë për sigurinë evropiane dhe transatlantike.

“Finlanda dhe Turqia janë të bashkuara nga angazhimi i tyre ndaj sigurisë transatlantike”, tha Valtonen. “Dua të vlerësoj qëndrimin e Turqisë ndaj luftës Rusi–Ukrainë dhe rolin e saj aktiv në ndërmjetësim dhe gjetjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”, shtoi ajo.

Valtonen tha se Finlanda e sheh Turqinë si “një ofrues gjithnjë e më të rëndësishëm të sigurisë për Evropën dhe gjithë aleancën transatlantike”.

Ajo gjithashtu shprehu mbështetjen e Finlandës për anëtarësimin e ardhshëm të Turqisë në BE dhe mirëpriti përfshirjen e saj në nisma të përbashkëta të mbrojtjes. “Finlanda mbështet pjesëmarrjen e Turqisë si partnere e barabartë në programin SAFE të BE-së dhe në bashkëpunimin më të gjerë në industrinë e mbrojtjes, për të cilën ne kemi shumë nevojë në këtë moment”, tha ajo.


– Diskutimet për Gazën

Fidan dhe Valtonen diskutuan gjithashtu zhvillimet në Gaza. Fidan tha se rreth 250 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite që nga shpallja e armëpushimit.

Një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit u arrit më 10 tetor, i bazuar në një plan paqeje me 20 pika të propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump. Megjithatë, Izraeli e ka shkelur disa herë marrëveshjen.

“Pavarësisht të gjitha sfidave, ne presim që armëpushimi të qëndrojë dhe të kalojë në fazën tjetër”, tha Fidan.

“Ne gjithashtu presim që komuniteti ndërkombëtar të përmbushë përgjegjësitë e tij në këtë moment kritik”, shtoi ai.

Duke folur për Lindjen e Mesme, Valtonen përsëriti qëndrimin e Finlandës. “Finlanda është e përkushtuar fuqishëm ndaj një zgjidhjeje me dy shtete”, tha ajo.

“Duhet të ketë një zgjidhje të qëndrueshme afatgjatë bazuar në të drejtën ndërkombëtare – jo vetëm për Gazën, por edhe për Bregun Perëndimor”, theksoi kryediplomatja finlandeze.

Izraeli ka vrarë pothuajse 69.000 njerëz, shumica gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur mbi 170.000 të tjerë në sulmet në Gaza që nga tetori i vitit 2023.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.