Turqia dhe Egjipti do të zhvillojnë stërvitje të përbashkët detare në Mesdheun Lindor
Kjo do të jetë stërvitja e parë e përbashkët midis dy vendeve në 13 vjet.

Ankara
Ministria turke e Mbrojtjes tha sot se Turqia dhe Egjipti do të zhvillojnë një stërvitje të përbashkët detare në Mesdheun Lindor këtë muaj, një lëvizje që synon forcimin e lidhjeve dypalëshe dhe rritjen e ndërveprimit ushtarak, transmeton Anadolu.
Kjo do të jetë stërvitja e parë e përbashkët midis dy vendeve në 13 vjet.
Stërvitja, e quajtur “Bahr El-Sadaka” në arabishte, që do të thotë “Deti i Miqësisë”, do të zhvillohet nga 22 deri në 26 shtator dhe zyrtarisht titullohet “Stërvitja Speciale e Operacioneve Detare në Detin e Miqësisë Turqi-Egjipt”.
Turqia do të marrë pjesë me fregatat “TCG Oruçreis” dhe “TCG Gediz”, anijet e sulmit të shpejtë “TCG Imbat” dhe “TCG Bora”, nëndetësen “TCG Gür” dhe dy avionë luftarakë F-16, tha Ministria.
Njësitë detare egjiptiane gjithashtu do t’i bashkohen stërvitjes.
Një ditë e veçantë observimi do të zhvillohet më 25 shtator, ku do të marrin pjesë Admirali Ercüment Tatlıoğlu, komandant i Forcave Detare të Turqisë, dhe homologu i tij egjiptian.