"Turqia dhe Britania duhet të jenë vende aleate të sigurisë kibernetike"
Ndërsa kërcënimet dhe lufta ndryshuan globalisht, Turqia "bëri të duhurën" duke investuar kaq shumë përpjekje në sigurinë kibernetike, deklaroi ish-deputetja britanike, Lady Olga Maitland

Stamboll
Turqia, pasi ka investuar me të drejtë shumë përpjekje në sigurinë kibernetike, duhet të jetë një shtet aleat kryesor bashkëpunimi me Britaninë e Madhe në këtë fushë, sipas ish-deputetes britanike, Lady Olga Maitland.
"Në të gjithë botën, shtetet tani po vlerësojnë rëndësinë e ndarjes të një buxheti më të lartë të tyre të mbrojtjes për mbrojtjen kibernetike", tha Maitland, e cila aktualisht shërben si drejtuese e Forumit të Mbrojtjes dhe Sigurisë me qendër në Londër.
Duke folur për Anadolu Agency (AA) në një intervistë ekskluzive, Maitland vuri në dukje se Britania e Madhe shërben si një shembull i kësaj, duke ulur numrin e ushtarëve të saj nga 83.000 në 72.000 dhe duke kanalizuar burimet e kursyera në mbrojtjen kibernetike.
"Sepse në fund të fundit, lufta ka ndryshuar. Nuk ka më vetëm kryengritje. Por gjithashtu ka sulme kibernetike ndaj infrastrukturës kritike", theksoi ajo.
Duke theksuar përpjekjet masive dhe fuqinë e madhe të Kinës në këtë fushë, ajo e përshkroi sjelljen e saj "autoritarizëm digjital".
Ndërkohë që aftësitë e Pekinit nuk janë ende të krahasueshme me SHBA-në, po afrohen me shpejtësi, nënvizoi ajo. "Tani kemi një faktor të ri që duhet të marrim parasysh", theksoi Maitland.
Duke shtuar se Rusia është gjithashtu një aktor i rëndësishëm me aftësi të mëdha, ajo shtoi se "nuk e ka forcën dhe kapacitetet e njëjta si Amerika, por kanë një pamëshirshmëri totale".
Kjo nënkupton se asgjë nuk i pengon vendet e tilla për t'i bërë vendet e tjera të cenueshme, shtoi ajo.
- Përforcimi i mbrojtjes kibernetike të Turqisë
Sipas Maitland, Turqia u tregua e zgjuar duke rritur kapacitetet e saj në mbrojtjen kibernetike, veçanërisht në ngritjen e qendrës së saj kombëtare të sigurisë kibernetike.
"Britania e Madhe është e gatshme të ofrojë njohuritë dhe kapacitet e saj me vendet e NATO-s dhe me vendet mike me të cilat ndajmë të njëjtat vlera, ndërsa Turqia është qartësisht e rëndësishme në këtë drejtim”, tha ajo.
Turqia nuk duhet të lihet vetëm, nënvizoi ajo, duke shtuar se Britania e Madhe, duke qenë jashtë BE-së, tani mund të ndjekë lidhje më fleksibël biznesi.
Duke komentuar për dronët, ajo tha se këto mund të jenë një aset i madh edhe në operacionet civile.
"Dronët janë një fakt i jetës. Ata janë shumë fleksibël. Nuk janë të shtrenjtë për t'u prodhuar, mund të futen nëpër radar dhe janë shumë të mirë për zbulim", tha ajo.
Megjithatë, shtoi ajo, në mungesë të një sistemi të duhur mbrojtës ose softueri për mbrojtjen e avionëve të tillë pa pilot, ato janë pak të dobishëm dhe jo të mjaftueshme për të siguruar një vend.
"Pra, kjo është arsyeja pse unë mendoj se qeveria turke e bëri të duhurën duke bërë kaq shumë përpjekje në luftën kibernetike", tha ajo.
Maitland gjithashtu theksoi se të dy vendet kanë një histori të gjatë bashkëpunimi.
"Ne kemi respekt të madh për Forcat e Armatosura të Turqisë, edhe gjatë Luftës së Parë Botërore. Ne e njohim guximin e Mehmetëve (ushtarëve turq) dhe përballjes me Johnniet anglezë, ndërsa ne ishim në anë të kundërta", tha ajo.
"Ne kurrë nuk e humbëm atë respekt. Pra, sot kemi një interes të përbashkët", theksoi ajo, duke përsëritur se "pa dyshim, Turqia duhet të jetë aleati i Britanisë së Madhe në sigurinë kibernetike".