Bota

Türkiye proteston për “sanksionet e njëanshme” ndaj Iranit, shpreson në ringjalljen e marrëveshjes bërthamore

“Ne kemi qenë kundër sanksione të njëanshme ndaj Iranit dhe nuk i miratojmë ato sanksione”, tha Çavuşoğlu në një konferencë të përbashkët për media në Ankara me homologun e tij iranian

Merve Gül Aydoğan Ağlarcı   | 27.06.2022
Türkiye proteston për “sanksionet e njëanshme” ndaj Iranit, shpreson në ringjalljen e marrëveshjes bërthamore Foto: Fatih Aktaş/AA

Ankara

Türkiye ka denoncuar “sanksionet e njëanshme” ndaj Iranit dhe ka shprehur shpresat për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne kemi qenë kundër sanksione të njëanshme ndaj Iranit dhe nuk i miratojmë ato sanksione”, tha Çavuşoğlu në një konferencë të përbashkët për media në Ankara me homologun e tij iranian, Hossein Amir-Abdollahian.

Çavuşoğlu shprehu shpresën që marrëveshja bërthamore të rivendoset dhe të gjitha palët të ndërmarrin hapat e nevojshme në këtë drejtim.

Në muajin maj të vitit 2018, ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tërhoqi vendin e tij nga marrëveshja historike, e cila u pasua nga rivendosja e sanksioneve ndaj Iranit nën fushatën e “presionit maksimal”.

Duke shpjeguar se nga marrëveshja bërthamore do të përfitonte rajoni, shefi i diplomacisë turke tha se do të kishte “refleksione pozitive” për marrëdhëniet rajonale dhe do të ndihmonte në çuarjen përpara të marrëdhënieve.

“Ne do të bëjmë më shumë përpjekje për të rritur vëllimin tonë tregtar”, tha Çavuşoğlu, duke shtuar se të dy vendet do të vazhdojnë të bashkëpunojnë në përpjekjet për të mbrojtur kauzën palestineze.

Duke theksuar se të dy vendet kanë “marrëdhënie historike të rrënjosura mirë”, Çavuşoğlu tha se Türkiye është e vendosur të përmirësojë më tej marrëdhëniet me Iranin në të gjitha fushat.

Ministri turk po ashtu tha se ata trajtuan jo vetëm çështje rajonale, por edhe çështje që lidhen me terrorizmin. Ai shtoi se Türkiye dhe Irani “duhet të vazhdojnë bashkëpunimin, sepse terrori është një armik i përbashkët për të gjithë ne”.

Amir-Abdollahian, nga ana e tij, tha se ata diskutuan një udhërrëfyes për të përmirësuar marrëdhëniet në shumë fusha.

“Ne do të krijojmë një komitet për t’u marrë me çështjet e ndryshimeve klimatike përgjatë kufirit tonë”, shtoi ai.

Duke theksuar se shqetësimet e Türkiye-s duhet të merren seriozisht dhe të zgjidhen sa më parë, ministri iranian tha se rezervat duhet të trajtohen “plotësisht dhe përgjithmonë”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.