Bota

Türkiye, 23 vjet nga tërmeti shkatërrues në Marmara

Tërmeti me magnitudë 7,4 ballë godit zonën më 17 gusht 1999, ndërkohë raporti zyrtar tregon se nga tërmeti kanë humbur jetën 17.480 persona, ndërsa janë lënduar 43.953 të tjerë

Şengül Azbay, Ömer Faruk Cebeci  | 17.08.2022 - Përdıtësım : 18.08.2022
Türkiye, 23 vjet nga tërmeti shkatërrues në Marmara Foto: AA/Arkiv

Kocaeli/Sakarya

Kanë kaluar 23 vjet nga tërmeti shkatërrues që goditi rajonin e Marmarasë më 17 gusht 1999, epiqendra e të cilit ishte në qarkun Gölcük në provincën turke Kocaeli, raporton Anadolu Agency (AA).

Tërmeti me magnitudë 7,4 ballë godit zonën në ora 03:02 pas mesnate sipas kohës lokale më 17 gusht 1999 dhe zgjati 45 sekonda, duke goditur zonat Kocaeli, Yalova, Sakarya, Istanbul dhe Düzce.

Raporti i komisionit për analizën e rrezikut nga tërmetet dhe përcaktimin e masave të nevojshme në menaxhimin e situatës së fatkeqësive të Kuvendit të Madh të Türkiye-s, i vitit 2010, tregon se nga tërmeti kanë humbur jetën 17.480 persona, ndërsa janë lënduar 43.953 të tjerë.

Rreth 200 mijë njerëz mbetën të pastrehë. U shembën 66.441 objekte banimi dhe 10.901 objekte afariste. Pasojat e tërmetit i kanë ndjerë rreth 16 milionë njerëz, ndërsa dëme materiale janë shkaktuar në 285.211 objekte banimi dhe 42.902 objekte afariste.

Në Istanbul humbën jetën 454 persona dhe 981 në Yalova, Düzce dhe Gölcük.

Në Istanbul u plagosën 1.880 persona kurse afro 41 mijë ndërtesa pësuan dëme materiale.

Ministritë kompetente dhe institucionet e tjera ndihmuan në riparimin e dëmeve dhe u ndërtuan objekte të reja për disa mijëra njerëz.

Projekte për riparimin dhe rindërtimin e dëmeve u zhvilluan edhe në Kocaeli, ku mijëra njerëz humbën jetën.

Në zhvillim e sipër janë një numër projektesh të transformimit urban në Gölcük dhe Izmit, ku një prej tyre është ndërtimi i shtëpive për 1.105 njerëz.

Gjithashtu në zhvillim e sipër janë edhe monitorimi i zonave me rrezik, krijimi i masterplaneve dhe hartave bazuar në të dhënat e stacioneve matëse të instaluara në 41 lokacione.

Sot Kocaeli është një port i rëndësishëm jo vetëm për Türkiye-n, por edhe në nivel ndërkombëtar.

Me 1,74 miliardë dollarë, renditet i dyti për eksporte kur bëhet fjalë për industrinë në korrik, ndërsa me 565,41 milionë dollarë javën e kaluar, ishte provinca numër një në industrinë e automobilave.

Kocaeli është një nga qendrat më të rëndësishme industriale në Türkiye.

Provinca Sakarya, e cila gjithashtu u godit nga tërmeti, po përjeton një transformim me projekte të reja.

Janë ndërtuar ndërtesa të shumta në përputhje me rekomandimet për mbrojtje në rast tërmeti, si dhe zbatohet “modeli i urbanizimit horizontal” dhe ndërtimi në përputhje me rekomandimet e ekspertëve.

Sot, Sakarya është tërheqëse për shumë biznesmenë dhe investitorë. Në vitin 1999, eksporti në Sakarya ishte 180 milionë, ndërkaq në fund të vitit 2021 u rrit në më shumë se pesë miliardë dollarë.

Gjithashtu është një nga qytetet që dërgon më së shumti produkte në tregjet e huaja.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın