Bota

Turkish Airlines, AJet dhe Pegasus anulojnë fluturimet drejt disa vendeve të Lindjes së Mesme

Turkish Airlines anulon fluturimet për në Liban, Siri, Irak, Iran dhe Jordani deri më 2 mars, ndërsa fluturimet e planifikuara për në Katar, Kuvajt, Bahrein, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Oman janë anuluar për të shtunën

Asiye Latife Yılmaz  | 28.02.2026 - Përdıtësım : 28.02.2026
Turkish Airlines, AJet dhe Pegasus anulojnë fluturimet drejt disa vendeve të Lindjes së Mesme

Stamboll

Transportuesi kombëtar turk Turkish Airlines, ka njoftuar se fluturimet drejt Libanit, Sirisë, Irakut, Iranit dhe Jordanisë janë anuluar deri më 2 mars të vitit 2026, për shkak të mbylljes së disa hapësirave ajrore në Lindjen e Mesme pas sulmit të përbashkët Izrael-SHBA ndaj Iranit, transmeton Anadolu.

Zv/presidenti i lartë për komunikim i Turkish Airlines, Yahya Ustun, në rrjetin social amerikan X gjithashtu njoftoi se kompania anuloi fluturimet drejt Katarit, Kuvajtit, Bahreinit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Omanit të planifikuara për 28 shkurt.

Ustun theksoi se zhvillimet në hapësirën ajrore po monitorohen në kohë reale dhe se mund të ketë anulime të tjera.

Pasagjerët këshillohen të kontrollojnë informacionin më të fundit për fluturimet në faqen zyrtare të kompanisë.

Ndërkohë, kompania turke me kosto të ulët AJet gjithashtu njoftoi se ka anuluar fluturimet drejt Iranit, Irakut, Sirisë dhe Libanit deri më 2 mars, si dhe fluturimet drejt Emirateve të Bashkuara Arabe për 28 shkurt, për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore të disa vendeve të Lindjes së Mesme.

Këshilltari për media i kompanisë AJet, Mehmet Yesilkaya, theksoi se situata në rajon po monitorohet nga afër dhe se anulime të tjera janë të mundshme.

Gjithashtu edhe kompania ajrore turke me kosto të ulët Pegasus njoftoi se ka anuluar fluturimet drejt Iranit, Irakut, Jordanisë dhe Libanit deri më 2 mars, si dhe fluturimet drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, Kuvajtit, Omanit, Pakistanit, Katarit, Bahreinit dhe kryeqytetit saudit Riad për 28 shkurt.

Në rrjetin social amerikan X, kompania tha se vazhdon të monitorojë zhvillimet në hapësirën ajrore dhe se mund të ketë anulime të tjera fluturimesh.

Anulimet vijnë mes kufizimeve të gjera në aviacion pas sulmit të përbashkët Izrael-SHBA ndaj Iranit.

Emiratet e Bashkuara Arabe mbyllën përkohësisht hapësirën e tyre ajrore për avionët dhe pasagjerët, Katari pezulloi trafikun ajror dhe Kuvajti anuloi të gjitha fluturimet drejt Iranit deri në një njoftim të dytë.

Siria gjithashtu pezulloi përkohësisht fluturimet përmes korridoreve ajrore jugore, ndërsa Iraku mbylli hapësirën e tij ajrore pasi largoi të gjithë avionët.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.