Turist britanik i moshuar zhduket pasi ra nga anija turistike pranë Ishujve Kanarie të Spanjës
Ekipet spanjolle të shpëtimit janë duke zhvilluar një operacion kërkimi për 76-vjeçarin, i cili u raportua i zhdukur nga anija 'Marella Explorer 2' dje në mëngjes
Londër
Një turist britanik i moshuar është zhdukur pasi ra në det nga një anije turistike pranë bregut në Tenerife, ishulli më i madh i Ishujve Kanarie të Spanjës, transmeton Anadolu.
Sipas raportimeve të mediave, ekipet spanjolle të shpëtimit janë duke zhvilluar një operacion kërkimi për 76-vjeçarin, i cili u raportua i zhdukur nga anija 'Marella Explorer 2' dje në mëngjes.
Kompania 'Marella Cruises' konfirmoi incidentin, i cili ndodhi teksa anija ishte në rrugë drejt ishullit tjetër të arkipelagut La Gomera, i cili ndodhet rreth 100 kilometra larg bregut veriperëndimor të Afrikës.
"Ekipi ynë i kujdesit po mbështet familjen, duke ofruar ndihmë dhe ngushëllim. Ne po punojmë ngushtë me autoritetet lokale dhe do të vazhdojmë të ofrojmë çdo mbështetje të mundshme", tha kompania.
Sipas raportimeve, helikopterë dhe një anije patrullimi gjithashtu po marrin pjesë në përpjekjet për të gjetur turistin e zhdukur.
Sipas operatorit të aeroporteve Aena, grupi i Ishujve Kanarie priti rreth 14,1 milionë turistë të huaj në vitin 2023, mes tyre rreth 5,7 milionë shtetas britanikë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
