Bota

Trupat amerikane fillojnë të mbërrijnë në Izrael për t’u bashkuar me misionin e monitorimit të armëpushimit në Gaza

200 trupa do të mbërrijnë në Izrael për “të ngritur një qendër koordinimi që do të mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza” dhe do të operojë në fusha të ndryshme, përfshirë transportin, planifikimin, logjistikën dhe sigurinë

Betül Yılmaz  | 11.10.2025 - Përdıtësım : 11.10.2025
Trupat amerikane fillojnë të mbërrijnë në Izrael për t’u bashkuar me misionin e monitorimit të armëpushimit në Gaza

Stamboll

Trupat amerikane kanë filluar të mbërrijnë në Izrael për të marrë pjesë në një task forcë të përbashkët për të monitoruar zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, transmeton Anadolu.

Duke cituar dy zyrtarë amerikanë, ABC News raportoi se 200 trupa do të mbërrijnë në Izrael për “të ngritur një qendër koordinimi që do të mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza” dhe do të operojë në fusha të ndryshme, përfshirë transportin, planifikimin, logjistikën, sigurinë dhe inxhinierinë.

Sipas raportit, trupat amerikane nuk do të hyjnë në Rripin e Gazës, por ato do të kryejnë aktivitetet e tyre në Izrael nën drejtimin e komandantit të Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), admiral Bradley Cooper, së bashku me njësi dhe kontingjente të ndryshme të dërguara nga vendet e rajonit.

Të mërkurën, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se Izraeli dhe Hamasi ranë dakord për fazën e parë të një plani 20-pikësh që ai paraqiti më 29 shtator për të sjellë një armëpushim në Gaza, për të liruar të gjitha pengjet izraelite në këmbim të rreth 2 mijë të burgosurve palestinezë dhe për një tërheqje graduale të forcave izraelite nga i gjithë Rripi i Gazës.

Një fazë e dytë e planit kërkon krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës në Gaza pa pjesëmarrjen e Hamasit, formimin e një force të sigurisë të përbërë nga palestinezë dhe trupa nga vendet arabe dhe islame, si dhe çarmatimin e Hamasit.

Që nga tetori i vitit 2023, sulmet izraelite kanë vrarë në Gaza të paktën 67.200 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe e kanë kthyer enklavën praktikisht në të pabanueshme.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.