Bota

Trump: Zelenskyy nuk e ka lexuar propozimin për paqe

"Nuk jam i sigurt nëse Zelenskyy është dakord me të. Populli i tij e pëlqen atë, por ai nuk e ka lexuar", tha Presidenti i SHBA-së, Donald Trump

Muhammed Yasin Güngör  | 08.12.2025 - Përdıtësım : 08.12.2025
Trump: Zelenskyy nuk e ka lexuar propozimin për paqe

Stamboll

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të dielën se është "pak i zhgënjyer" që Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, nuk e ka lexuar ende propozimin e fundit të paqes për t'i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë, transmeton Anadolu.

"Kemi folur me Presidentin (rus) (Vladimir) Putin dhe kemi folur me udhëheqës ukrainas, përfshirë Zelenskyyn", u tha Trump gazetarëve ndërsa mbërriti në Qendrën Kennedy.

Trump tha se Rusia është "mirë" me propozimin, por shtoi se "Nuk jam i sigurt nëse Zelenskyy është dakord me të. Populli i tij e pëlqen atë, por ai nuk e ka lexuar".

Komentet e tij erdhën disa orë pasi Zelenskyy tha se kishte pasur bisedime "thelbësore" me zyrtarë amerikanë pas konsultimeve të tyre me një delegacion ukrainas në shtetin amerikan të Floridës.

Presidenti ukrainas tha se pati një telefonatë me të dërguarin e SHBA-së, Steve Witkoff dhe dhëndrin dhe këshilltarin joformal të Trumpit, Jared Kushner, së bashku me negociatorin e lartë ukrainas, Rustem Umerov dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Andrii Hnatov pas bisedimeve për të diskutuar planin e paqes të propozuar nga Washingtoni për t'i dhënë fund luftës.

Zelenskyy tha se ata diskutuan "shumë aspekte" dhe "pika kyçe" që mund të sigurojnë përfundimin e luftës mbi tre vjet e gjysmë në Ukrainë dhe tani ai është duke pritur një "raport të detajuar personalisht" nga Umerov dhe Hnatov.

Të martën, Witkoff dhe Kushner u takuan me Putinin në Moskë për negociata mbi planin e propozuar, të cilin ndihmësi presidencial Yuri Ushakov e quajti "konstruktiv, shumë të dobishëm dhe informues".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.