Bota

Trump vë në dyshim mbështetjen që NATO do t’i ofronte SHBA-së nëse do të kishte vërtet nevojë për aleancën

“Rusia dhe Kina nuk kanë aspak frikë nga NATO pa SHBA-në dhe unë dyshoj nëse NATO do të ishte aty për ne nëse do të kishim vërtet nevojë për ta”, tha Trump

Muhammed Yasin Güngör  | 07.01.2026 - Përdıtësım : 07.01.2026
Trump vë në dyshim mbështetjen që NATO do t’i ofronte SHBA-së nëse do të kishte vërtet nevojë për aleancën Foto: AA/Arkiv

Stamboll

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vuri në dyshim nëse NATO do t’i dilte në krah Washingtonit nëse vendi do të kishte realisht nevojë për ndihmën e aleancës, pavarësisht angazhimit të tij për të mbështetur vendet anëtare, transmeton Anadolu.

“Rusia dhe Kina nuk kanë aspak frikë nga NATO pa SHBA-në dhe unë dyshoj nëse NATO do të ishte aty për ne nëse do të kishim vërtet nevojë për ta”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.

Ai tha se Washingtoni do t’i respektojë detyrimet aleate pavarësisht mungesës së reciprocitetit, duke pretenduar se Rusia dhe Kina e “respektojnë” SHBA-në vetëm nën udhëheqjen e tij.

Trump mori gjithashtu meritën për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s nga 2 për qind në 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB), duke pohuar se shumica e vendeve nuk i përmbushnin detyrimet e tyre financiare deri në ndërhyrjen e tij.

Ai tha se Amerika “marrëzisht” po i mbulonte shpenzimet e tyre, para se ai t’i detyronte ata të paguanin “menjëherë”.

Në një samit në muajin qershor në Hagë, aleatët e NATO-s ranë dakord që të rrisin objektivin e shpenzimeve të mbrojtjes në 5 për qind të PBB-së deri në vitin 2035.

Trump gjithashtu kritikoi Norvegjinë, një vend anëtar i NATO-s, për mosdhënien e Çmimit Nobel për Paqe, duke përsëritur pretendimin e tij se ka përfunduar i “vetëm” tetë luftëra.

“Por kjo nuk ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi është se unë kam shpëtuar miliona jetë”, shtoi ai.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın