Trump: Të shtënat fatale ndaj protestuesve në Minneapolis nuk justifikohen
"Nuk duhej të kishte ndodhur", tha Trump në lidhje me vrasjen e Alex Pretti dhe Rene Good
Washington
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se vrasja me armë e dy protestuesve në Minneapolis nga oficerë ligjzbatues të imigracionit nuk ishte e justifikuar, transmeton Anadolu.
I pyetur nga një gazetar gjatë një interviste në Zyrën Ovale nëse mendon se vrasja e Alex Prettit dhe e Renee Good është justifikuar, Trump tha: "Jo. Nuk mendoj. Nuk duhej të kishte ndodhur".
"Ishte një incident shumë i trishtueshëm, dy incidente, dhe e dini, përmendën njërin, tani nuk e përmendin tjetrin. Por mendoj se të dy ishin të trishtueshëm", tha ai gjatë intervistës për NBC News.
Protesta kundër operacioneve të Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave (ICE) dhe kundër të shtënave nga agjentët federalë të imigracionit po zhvillohen prej më shumë se një muaji në shtetin Minnesota.
Demonstratat u përshkallëzuan dhe u përhapën në mbarë vendin pas vrasjes së Prettit, një infermier 37-vjeçar i kujdesit intensiv, nga oficerët e imigracionit më 24 janar, si dhe pas vrasjes së Goodit, një nënë 37-vjeçare e tre fëmijëve, më 7 janar.
Vrasja e Prettit rriti tensionet, ndërsa udhëheqësit lokalë dhe shtetërorë kërkuan hetime të pavarura dhe ngritën pikëpyetje mbi bashkëpunimin federal me autoritetet.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
