Trump: "Toyota" do të investojë mbi 10 miliardë dollarë në fabrikat e makinave në SHBA
"Kryeministrja (Sanae Takaichi) sapo më tha se 'Toyota' do të ndërtojë fabrika makinash në të gjithë SHBA-në, me një investim prej mbi 10 miliardë dollarësh", tha presidenti amerikan Trump
Stamboll
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi se "Toyota" do të investojë më shumë se 10 miliardë dollarë gjatë 5 viteve të ardhshme për të ndërtuar fabrika makinash në të gjithë SHBA-në, transmeton Anadolu.
"Kryeministrja (Sanae Takaichi) më tha se 'Toyota' do të ndërtojë fabrika makinash në të gjithë SHBA-në, me një vlerë prej mbi 10 miliardë dollarësh", tha Trump gjatë një vizite në aeroplanmbajtësen me energji bërthamore "USS George Washington" në bazën detare Yokosuka pranë Tokios.
"Na pëlqen kjo", tha Trump duke falënderuar Japoninë për "investimet e saj të mëdha" në SHBA. Ai theksoi se investimi i "Toyota"-s është pjesë e një vale më të gjerë parash "që po derdhen në SHBA" duke vlerësuar se 17 trilionë dollarë po vijnë nga e gjithë bota.
"Mendoj se deri në përfundim të vitit të parë do të kemi mbi 20 ose 21 trilionë dollarë para që do të hyjnë në vendin tonë", tha Trump.
Kompania japoneze e automjeteve "Toyota" njoftoi më parë një investim prej 88 milionë dollarësh për të rritur prodhimin e makinave hibride në fabrikën e saj në Virxhinian Perëndimore, duke siguruar vendet e punës për 2.000 punëtorë në objekt.
Trump i bëri këto komente gjatë një vizite trupash me kryeministren japoneze Takaichi, si pjesë e turneut të tij në tre vendet e Azisë. Tregtia amerikane në mallra dhe shërbime me Japoninë arriti në rreth 319.2 miliardë dollarë në vitin 2024, sipas të dhënave të SHBA-së.
Japonia pranoi të investojë 550 miliardë dollarë në SHBA në këmbim të një tarife bazë prej 15 për qind për pothuajse të gjitha importet japoneze që hyjnë në vend, nga niveli prej 24 për qind që Trump propozoi fillimisht.
