Trump thotë se Afrika e Jugut nuk duhet të jetë në G20, refuzon të marrë pjesë në samitin në Johanesburg
“Nuk do të përfaqësoj vendin tonë atje. Nuk duhet të zhvillohet atje”, tha presidenti amerikan
Stamboll
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Afrika e Jugut duhet të përjashtohet nga G20-a dhe se ai nuk do të marrë pjesë në samitin e ardhshëm të grupit në këtë vend, transmeton Anadolu.
“Afrika e Jugut nuk duhet të jetë më pjesë e G-ve, sepse ajo që ka ndodhur atje është e keqe”, tha Trump gjatë Forumit Amerikan të Biznesit në Majami.
“Unë nuk do të shkoj... nuk do të përfaqësoj vendin tonë atje. Nuk duhet të zhvillohet atje”, shtoi ai, duke iu referuar Samitit të G20-ës që do të mbahet në Johanesburg më 22–23 nëntor.
Trump ka akuzuar vazhdimisht Afrikën e Jugut për konfiskim toke dhe për trajtim “shumë të keq ndaj disa shtresave të popullsisë”, duke e cilësuar këtë si “shkelje masive të të drejtave të njeriut”.
“Si mund të pritet që të shkojmë në Afrikën e Jugut për një takim kaq të rëndësishëm si G20, kur konfiskimi i tokës dhe gjenocidi janë temat kryesore të diskutimit?”, tha ai në prill.
Në shkurt, Trump nënshkroi Urdhrin Ekzekutiv 14204, duke i udhëzuar agjencitë federale të lehtësojnë vendosjen e afrikanerëve të bardhë nga Afrika e Jugut në SHBA, të përshkruar si “viktima të diskriminimit racor të padrejtë”, si dhe të ndërpresin ndihmën amerikane për Afrikën e Jugut.
Qeveria e Afrikës së Jugut i ka hedhur poshtë pretendimet e Trumpit, duke deklaruar se “ato bazohen në një premisë që është faktikisht e pasaktë”.
