Trump në takimin me mbretin jordanez: Do ta “marrë” Gazën nën autoritetin e SHBA-së
“Ne do ta marrim atë, do ta mbajmë, do ta çmojmë. Ne do të kemi shumë gjëra të mira të ndërtuara atje, përfshirë hotele dhe ndërtesa të zyrave, banesa dhe gjëra të tjera. Dhe, ne do ta bëjmë atë vend që duhet të jetë”, tha Trump
Washington
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka deklaruar se ai do ta “marrë” Rripin e Gazës së rrethuar nën autoritetin e SHBA-së përderisa priti në Shtëpinë e Bardhë Mbretin e Jordanisë, Abdullah II, i cili ka kundërshtuar planin e tij për palestinezët e enklavës, transmeton Anadolu.
Presidenti vazhdoi të këmbëngulë se ai do të zbatojë propozimin e tij të diskutuar gjerësisht për të marrë pronësinë e Gazës, duke theksuar se, “Ne do ta drejtojmë atë në mënyrën e duhur”.
“Ne do ta marrim atë, do ta mbajmë, do ta çmojmë. Ne do të kemi shumë gjëra të mira të ndërtuara atje, përfshirë hotele dhe ndërtesa të zyrave, banesa dhe gjëra të tjera. Dhe, ne do ta bëjmë atë vend që duhet të jetë”, tha Trump.
Ai u nda me komentet e mëparshme se SHBA-ja do të "blejë dhe zotërojë" Gazën, në vend të kësaj duke theksuar se "ne nuk do të blejmë asgjë”.
“Ne do ta kemi atë. Do ta mbajmë atë dhe do të sigurohemi që do të ketë paqe dhe nuk do të ketë asnjë problem dhe askush nuk do ta vërë në dyshim", tha Trump.
Trump mohoi se ai kishte në plan të zhvillojë personalisht prona në Gaza ngurroi kur u pyet në lidhje me kërcënimet e tij të mëparshme për të ndalur ndihmën amerikane nëse ata refuzojnë të rivendosin afër 2 milionë palestinezët që ai planifikon t’i zhvendosë sipas propozimit të tij për pronësinë.
Presidenti në vend të kësaj u dukej se ndryshoi mendje, duke theksuar "marrëdhëniet e mira" me Jordaninë dhe duke sugjeruar se nuk duhet të kërcënojë me para.
"Ne kontribuojmë shumë para për Jordaninë dhe Egjiptin, meqë ra fjala, shumë për të dyja. Por nuk duhet të kërcënoj me këtë. Mendoj se jemi mbi këtë. Unë besoj se jemi mbi këtë", tha ai.
Presidenti amerikan tha se beson se Egjipti dhe Jordania do të bien dakord të kontribuojnë me "një parcelë toke" në secilin vend për rivendosjen e palestinezëve të zhvendosur, por tha se: "Ne mund të kemi ndonjë vend tjetër, por mendoj se kur të përfundojmë bisedimet tona, ne do të kemi një vend ku ata do të jetojnë shumë të lumtur dhe shumë të sigurt”.
Mbreti Abdullah II, nga ana e tij, njoftoi se vendi i tij do të pranonte 2 mijë fëmijë që vuajnë nga kanceri ose që janë "shumë të sëmurë".
Trump tha se nuk ishte në dijeni të planit, duke e quajtur atë "fantastik" dhe "muzikë për veshët e mi", duke shtuar se ai është "99 për qind i sigurt se ne do të punojmë diçka me Egjiptin".
Ai shprehu më tej skepticizëm se Hamasi do të përmbushë afatin e të shtunës për të liruar të gjitha pengjet izraelite të mbetura në Gaza ose do të shohë anulimin e papritur të marrëveshjes së armëpushimit me Izraelin.
"Unë kam një afat të shtunën dhe nuk mendoj se ata do ta arrijnë afatin. Personalisht, unë mendoj se ata duan të luajnë djalin e ashpër, por do të shohim se sa të vështirë janë. Por do të jetë një gjë e mrekullueshme. Do të jetë e mrekullueshme për Lindjen e Mesme", tha ai.
Dje, Hamasi deklaroi se ka përmbushur plotësisht angazhimet sipas marrëveshjes së armëpushimit dhe akuzoi Izraelin për shkeljen e katër dispozitave kryesore. Më herët gjatë ditës, krahu i armatosur i Hamasit, Brigada al-Qassam, njoftoi se shtyu lirimin e radhës së pengjeve derisa Izraeli të përmbushë të gjitha kushtet e marrëveshjes.
Trump e ka lënë të hapur derën për përfshirjen amerikane nëse nuk respektohet afati.
Kërcënimi u përsërit nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili sot tha se, "Nëse Hamasi nuk i kthen pengjet tanë deri në mesditën e të shtunës, armëpushimi do të ndërpritet dhe ushtria izraelite do t'i kthehet luftimeve intensive derisa Hamasi të mposhtet përfundimisht".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
