Trump thotë se lufta me Iranin nuk do të zgjasë "edhe shumë"
“Funksioni im i vetëm ishte të sigurohesha që ata të mos kenë armë bërthamore. Ata nuk do të kenë armë bërthamore. Kur ne të largohemi, ngushtica do të hapet automatikisht”, ka deklaruar presidenti amerikan.
Washington
Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se beson që lufta me Iranin nuk do të zgjasë "edhe shumë" dhe se Ngushtica e Hormuzit do të rihapet "automatikisht" kur SHBA-ja të largohet, sipas një raportimi të New York Post, transmeton Anadolu.
“Nuk do të jemi atje edhe për shumë kohë. Ne po i asgjësojmë ata tani, është një asgjësim i plotë”, citohet të ketë thënë Trump në një intervistë telefonike.
“Por nuk do të na duhet të jemi atje edhe për shumë kohë — megjithatë, kemi ende punë për të bërë në drejtim të shkatërrimit të ofensivës së tyre, çfarëdo kapaciteti ofensiv që u ka mbetur”, ka shtuar Trump.
Duke u ndalur te Ngushtica e Hormuzit, Trump tha se vendet e tjera do të duhet të merren me rrugën ujore kritike.
“Epo, mendoj se ajo do të hapet automatikisht, por qëndrimi im është ky: unë e kam asgjësuar vendin. Ata nuk kanë më forcë, dhe le ta hapin atë vendet që e përdorin ngushticën… sepse imagjinoj që kushdo që kontrollon naftën do të jetë shumë i lumtur ta hapë ngushticën”, ka thënë Trump.
I pyetur nga New York Post mbi një raport të Wall Street Journal ku thuhej se ai ishte i gatshëm t’i jepte fund luftës pa rihapjen e ngushticës, Trump tha: “Të jem i sinqertë, nuk mendoj për këtë”.
“Funksioni im i vetëm ishte të sigurohesha që ata të mos kenë armë bërthamore. Ata nuk do të kenë armë bërthamore. Kur ne të largohemi, ngushtica do të hapet automatikisht”, ka deklaruar presidenti amerikan.
