Trump takohet me perandorin japonez Naruhito në Tokio
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump u takua me perandorin japonez Naruhito në Tokio, përpara takimit të tij të planifikuar me kryeministren e sapozgjedhur japoneze, Sanae Takaichi
Stamboll
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump u takua me perandorin japonez Naruhito në Tokio, përpara takimit të tij të planifikuar me kryeministren e sapozgjedhur japoneze, Sanae Takaichi, transmeton Anadolu.
Trump zbarkoi në Tokio, destinacioni i dytë në turneun e tij prej tre vendesh në Azi, pasi mori pjesë në Samitin e 47-të të ASEAN në kryeqytetin e Malajzisë, Kuala Lumpur.
Trump dhe Naruhito zhvilluan një takim dypalësh në Pallatin Perandorak në Tokio menjëherë pas mbërritjes së të parit në kryeqytetin japonez. "Një njeri i shkëlqyer", tha Trump, për perandorin Naruhito ndërsa po largohej nga takimi.
Të martën, Trump do të takohet për herë të parë me kryeministren e parë femër të Japonisë, Takaichi. Kryeministrja e re e mirëpriti Trumpin me një postim në kompaninë amerikane të mediave sociale X, duke thënë: "Pres me padurim t'ju shoh nesër dhe të zhvillojmë një diskutim të frytshëm se si mund ta forcojmë më tej aleancën tonë të madhe. Ndriçimi special në nder të vizitës së presidentit Trump tani po ndriçon monumentet në të gjithë Tokion!".
Presidenti amerikan do të udhëtojë më pas për në Korenë e Jugut ku do të marrë pjesë në Samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) si dhe për t'u takuar me presidentin Lee Jae Myung të mërkurën.
Trump pritet të zhvillojë gjithashtu bisedime me presidentin kinez, Xi Jinping të enjten për të diskutuar mbi tarifat, tregtinë, fentanilin, produktet bujqësore amerikane dhe metalet e rralla.
