Bota

Trump: Sulmet tokësore do të shënjestrojnë “çdokënd” të përfshirë në tregtinë e drogës, pavarësisht vendndodhjes

"Ne do të fillojmë të bëjmë këto sulme në tokë, e dini, toka është shumë më e lehtë dhe ne i dimë rrugët që ata ndjekin, ne dimë gjithçka rreth tyre, ne e dimë se ku jetojnë ata dhe ne do ta fillojmë atë shumë shpejt", tha Trump

Michael Gabriel Hernandez  | 03.12.2025 - Përdıtësım : 03.12.2025
Trump: Sulmet tokësore do të shënjestrojnë “çdokënd” të përfshirë në tregtinë e drogës, pavarësisht vendndodhjes Foto: AA/Arkiv

Washington DC

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se një fazë e re sulmesh ndaj trafikantëve të dyshuar të drogës do të godasë lokacionet në tokë dhe do të shënjestrojë "çdokënd" të përfshirë në tregtinë e paligjshme, transmeton Anadolu.

"Ne do të fillojmë të bëjmë këto sulme në tokë, e dini, toka është shumë më e lehtë dhe ne i dimë rrugët që ata ndjekin, ne dimë gjithçka rreth tyre, ne e dimë se ku jetojnë ata, se ku jetojnë të këqijtë dhe ne do ta fillojmë atë shumë shpejt gjithashtu", u tha Trump gazetarëve gjatë një takimi të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë.

"Kushdo që e bën këtë dhe e shet atë në vendin tonë është subjekt i sulmit", shtoi ai.

I pyetur nga një gazetar nëse kjo do të thotë se objektivat do të kufizohen në Venezuelë, Trump tha, "Jo, jo vetëm Venezuela", por shtoi se vendi që ka qenë në qendër të kërcënimeve të përsëritura të presidentit ka qenë "shumë i keq".

Trump ka autorizuar sulme ndaj objektivave që ai dhe zyrtarët e tij të lartë kanë pretenduar se janë të lidhura me "narkoterrorizmin", por sulmet e njohura deri më tani kanë qenë të kufizuara në objektiva me bazë detare, përfshirë anije dhe nëndetëse.

Presidenti amerikan është zotuar se do të fillojë sulmet ndaj objektivave me bazë tokësore, ndërsa rrit ndjeshëm forcat ushtarake amerikane në Amerikën Latine mes një përplasjeje me presidentin venezuelan, Nicolas Maduro.

Trump ka kërkuar që Maduro të heq dorë nga pushteti, ndërsa kryen sulme ndaj anijeve që, siç thotë ai, po transportojnë drogë në SHBA, mes spekulimeve se ai së shpejti mund të urdhërojë një ndërhyrje ushtarake në kombin latino-amerikan.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.