Bota

Trump: Pas sulmeve në Arabinë Saudite "me sa duket" qëndron Irani

"Epo, ashtu po duket", u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, ku ai kishte takim me princin e kurorës së Bahreinit, Salman bin Hamad Al Khalifa. "Ne do t'iu njoftojmë përfundimisht", tha Trump

Michael Hernandez   | 17.09.2019
Trump: Pas sulmeve në Arabinë Saudite "me sa duket" qëndron Irani

Washington

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump tha se po fillon të duket sikur Irani qëndron pas një serie sulmesh gjatë fundjavës ndaj fabrikave kyçe të naftës në Arabinë Saudite, raporton Anadolu Agency (AA).

"Epo, ashtu po duket", u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, ku ai kishte takim me princin e kurorës së Bahreinit, Salman bin Hamad Al Khalifa. "Ne do t'iu njoftojmë përfundimisht", tha Trump.

Më herët, Trump përgënjeshtroi mohimin zyrtar iranian për përgjegjësi për sulmet e së shtunës në një fushë të naftës dhe fabrikës së përpunimit të naftës Abqaiq në pjesën lindore të Arabisë Saudite.

Rebelët Huthi të mbështetur nga Irani kanë marrë përsipër përgjegjësinë për sulmet ndaj fabrikave të Aramco-s, duke paralajmëruar kompanitë dhe punëtorët e huaj që mos t'u afrohen fabrikave, pasi "ata mund të sulmohen sërish".

Trump tha se përderisa SHBA nuk kërkon konflikt me Iranin, "Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë më të përgatitura" për armiqësi se çdo shtet në histori.

"Me gjithë ato që janë thënë, ne me siguri do të donim ta shmangnim atë", tha Trump, duke theksuar se ende ka kohë për të zgjidhur tensionet me Iranin në mënyrë diplomatike.

Trump dërgon në Arabinë Saudite sekretarin amerikan të shtetit, Mike Pompeo, dhe zyrtarë të tjerë të lartë, pas sulmeve të cilat kanë rritur çmimin e naftës Brent për afër 13 për qind.

Ai ka mohuar t'i ketë premtuar Arabisë Saudite se SHBA do t'i mbrojë, por tha se "ne do të ulemi me sauditët dhe do të gjejmë ndonjë rrugëdalje".

I pyetur më vonë nga një gazetar nëse një sulm ushtarak ndaj Iranit do të ishte në proporcion me sulmet në fabrikat saudite të naftës, Trump pohoi dhe tha se do të ishte proporcional. Ai më tej minimizoi ndikimin e sulmeve në çmimet e naftës në SHBA, duke thënë se "kjo nuk do të ndikojë tek ne".

Tensionet mes Washingtonit dhe Teheranit janë përshkallëzuar që në maj të vitit 2018, kur Trump në mënyrë të njëanshme vendosi që të tërheqë SHBA-të nga marrëveshja bërthamore që fuqitë botërore e nënshkruan me Iranin.

Rebelët Huthi, raketat balistike të të cilëve zakonisht ndalohen nga sistemet e mbrojtjes ajrore saudite, muajve të fundit me dronë të armatosur kanë vënë në shënjestër disa pjesë strategjike të Arabisë Saudite.

Jemeni është përfshirë nga lufta civile që nga viti 2014, kur rebelët Huthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.

Konflikti u përshkallëzua edhe më tej kur Arabia Saudite dhe aleatët e saj arabë një vit më vonë filluan një fushatë masive ajrore që synonte zbrapsjen e rebelëve Huthi dhe mbështetjen e qeverisë pro-saudite.

Sipas përllogaritjeve të OKB-së, më shumë se 70 mijë njerëz janë vrarë në konflikt që nga viti 2016.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın