Trump paralajmëron për “sanksione ose tarifa masive” ndaj Rusisë brenda 2 javësh
“Kjo është nëse do të jenë sanksione masive apo tarifa masive apo edhe të dyja. Ose nuk do të bëjmë asgjë dhe do të themi se është lufta juaj”, theksoi presidenti amerikan i pyetur çfarë do të ndodhë pas dy javësh

Washington DC
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se ai do ta dijë brenda dy javësh nëse mund të bëhet përparim drejt përfundimit të luftës Rusi-Ukrainë, teksa aludoi gjithashtu për sanksione të mundshme kundër Moskës, transmeton Anadolu.
Duke folur me gazetarët në Zyrën Ovale, Trump shprehu zhgënjim me sulmet e fundit ruse që dëmtuan një fabrikë amerikane që vepronte në Ukrainë.
“Nuk jam i lumtur për këtë dhe nuk jam i lumtur për asgjë që ka të bëjë me atë luftë. Gjatë dy javëve të ardhshme, ne do të zbulojmë se në cilin drejtim do të shkojë. Dhe më mirë të jem shumë i lumtur”, tha Trump.
I pyetur se çfarë do të ndodhë pas dy javësh, Trump tha se “do të marrë një vendim se çfarë do të bëjmë dhe do të jetë një vendim shumë i rëndësishëm”.
“Kjo është nëse do të jenë sanksione masive apo tarifa masive apo edhe të dyja. Ose nuk do të bëjmë asgjë dhe do të themi se është lufta juaj”, theksoi presidenti amerikan.
Së fundmi, Trump ka bërë përpjekje për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë. Ai zhvilloi disa raunde bisedimesh me të dyja palët, përfshirë një samit me presidentin rus, Vladimir Putin, në Alaskë më 15 gusht, si dhe njoftoi përgatitjet për një takim midis presidentëve Putin dhe Zelenskyy.
Sot më herët, ai shprehu optimizëm të kujdesshëm se të dyja palët mund të bashkohen përfundimisht.
“Do të shohim nëse Putin dhe Zelenskyy do të punojnë së bashku. Kjo është pak si vaji dhe uthulla. Ata nuk shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin, për arsye të qarta, por do ta shohim”, u tha Trump gazetarëve gjatë një vizite në muzeun e Shtëpisë së Popullit në Washington.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.