Trump nënshkruan Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare prej 901 miliardë dollarësh
Presidenti amerikan Trump nënshkroi Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare, një masë prej 901 miliardë dollarësh që përshkruan politikat dhe shpenzimet e Pentagonit për vitin 2026
Washington
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump nënshkroi të enjten Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) një masë prej 901 miliardë dollarësh që përshkruan politikat dhe shpenzimet e Pentagonit për vitin 2026, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të gjatë nënshkrimi të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, Trump tha se legjislacioni do të çonte përpara axhendën e tij "Paqe Përmes Forcës", do të forconte sigurinë e atdheut dhe bazën industriale të mbrojtjes, duke eliminuar "programet e kota dhe radikale" që dëmtojnë karakterin e luftës së ushtrisë.
Legjislacioni autorizon 8 miliardë dollarë mbi nivelin e kërkuar nga administrata e Trumpit.
Dispozitat kryesore në projektligjin prej 3.086 faqesh përfshijnë 800 milionë dollarë për Ukrainën, 400 milionë dollarë për secilin nga dy vitet e ardhshme, si pjesë e Iniciativës së Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës dhe shfuqizimin e sanksioneve të Cezarit ndaj Sirisë nën ish-regjimin e Bashar al-Assadit.
Projektligji i ndan 600 milionë dollarë Izraelit, përfshirë fonde për iniciativa të përbashkëta të mbrojtjes nga raketat, siç është sistemi "Kupola e Hekurt". Ai kundërshton kërcënimet nga Kina dhe siguron suksesin e misioneve Indo-Paqësore. Projektligji përfshin gjithashtu një buxhet prej 1 miliard dollarësh për Iniciativën e Bashkëpunimit për Sigurinë në Tajvan.
NDAA autorizon Departamentin e Mbrojtjes të mbledhë fonde nga aleatët e NATO-s për të kompensuar koston e qëndrimit të forcave të SHBA-së në Evropën Lindore. Ai kërkon që komandanti i Komandës Evropiane të SHBA-së (EUCOM) të bëjë një vlerësim vjetor se si SHBA-ja dhe NATO po ruajnë një avantazh ushtarak krahasues kundër Rusisë.
Ai kërkon që Pentagoni të analizojë efektin në sigurinë e SHBA-së përpara se të zvogëlojë strukturën e forcave të saj në Evropë nën 76 mijë. Ndërsa shprehu mbështetje për objektivat kryesore të projektligjit, Trump tha se shumë seksione ngritën shqetësime kushtetuese.
Trump kundërshtoi dispozitat që ai tha se përpiqen të diktojnë qëndrimet e SHBA-së në çështjet e jashtme dhe ushtarake, kërkojnë zbulimin e informacionit të privilegjuar ose të ndjeshëm të sigurisë kombëtare në Kongres, ose kufizojnë autoritetin presidencial mbi vendosjen e trupave, burimet ushtarake dhe menaxhimin e degës ekzekutive.
Ai shtoi se administrata e tij do të zbatojë dispozitat "në përputhje me autoritetin kushtetues të presidentit" si komandant suprem dhe drejtor ekzekutiv, përfshirë autoritetin mbi çështjet e jashtme, informacionin e sigurisë kombëtare, vendimet e personelit dhe rekomandimet për Kongresin.
"Disa nene do të interpretohen në një mënyrë që nuk dëmton aftësinë e presidentit për të kryer misione ushtarake, për të menaxhuar strukturat organizative të lidhura me energjinë bërthamore, për të kontrolluar informacionin e klasifikuar ose për të përcaktuar kohën dhe fizibilitetin e njoftimeve për Kongresin lidhur me veprimet ushtarake dhe diplomatike", tha Trump.
