Trump njofton se Izraeli dhe Hamasi nënshkruan fazën e parë të marrëveshjes së propozuar nga SHBA-ja për Gazën
“Kjo do të thotë që të gjithë pengjet do të lirohen shumë shpejt dhe Izraeli do të tërheq trupat e tij në një vijë të rënë dakord si hapat e parë drejt një paqeje të fortë, të qëndrueshme dhe të përjetshme”, tha Trump

Washington
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se Izraeli dhe grupi palestinez Hamas kanë nënshkruar fazën e parë të një marrëveshjeje të propozuar nga SHBA-ja për Gazën, transmeton Anadolu.
"Jam shumë krenar të njoftoj se Izraeli dhe Hamasi kanë nënshkruar fazën e parë të planit tonë të Paqes. Kjo do të thotë që të gjithë pengjet do të lirohen shumë shpejt dhe Izraeli do të tërheq trupat e tij në një vijë të rënë dakord si hapat e parë drejt një paqeje të fortë, të qëndrueshme dhe të përjetshme”, tha Trump.
Ai theksoi se të gjitha palët do “të trajtohen në mënyrë të drejtë”.
Presidenti amerikan e përshkroi momentin si një "ditë të madhe" për botën arabe dhe myslimane, Izraelin, kombet përreth dhe SHBA-në.
Trump falënderoi të gjithë ndërmjetësit, përfshirë Turqinë, "të cilët punuan me ne për ta bërë të mundur këtë ngjarje historike dhe të pashembullt".
"Të bekuar janë paqebërësit", tha ai.
Më herët, Trump tha se mund të udhëtojë për në Egjipt këtë fundjavë, pasi negociatat për një armëpushim në Gaza po tregonin shenja përparimi.
"Mund të shkoj atje diku drejt fundit të javës, ndoshta të dielën", u tha ai gazetarëve, duke theksuar se ka "një mundësi shumë të mirë" për përparim në bisedime.
"Sapo mora një shënim nga sekretari i shtetit (Marco Rubio) ku thuhej se jemi shumë afër një marrëveshjeje në Lindjen e Mesme dhe ata do të kenë nevojë për mua shumë shpejt", tha ai.
Bisedime indirekte midis Izraelit dhe Hamasit kanë filluar në Egjipt që nga e hëna për të diskutuar planin e Trumpit për t'i dhënë fund konfliktit.
Sipas kanalit shtetëror "Al-Qahera Neës", përveç të dërguarit të posaçëm të SHBA-së, Steve Witkoff dhe dhëndrit të presidentit Trump, Jared Kushner, lista e pjesëmarrësve përfshin shefin e inteligjencës turke, Ibrahim Kalin, kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, shefin e inteligjencës egjiptiane, Hassan Rashad, dhe ministrin izraelit të Çështjeve Strategjike, Ron Dermer.
Plani 20-pikësh, i njoftuar më 29 shtator, përfshin lirimin e pengjeve izraelite në Gaza, një armëpushim dhe çarmatimin e Hamasit. Grupi palestinez në parim ra dakord me planin.
Që nga tetori i vitit 2023, sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 67.200 palestinezë në enklavë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe e kanë bërë atë të pabanueshme.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.