Trump njofton marrëveshje tregtare me Indonezinë që eliminon tarifat dhe barrierat jotarifore
- “Kjo marrëveshje është një ‘Fitore e Madhe’ për prodhuesit tanë të automobilave, kompanitë teknologjike, punëtorët, bujqit, blegtorët dhe prodhuesit”, tha presidenti amerikan.

Washington DC
WASHINGTON (AA) - Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi finalizimin e një marrëveshjeje tregtare “kornizë” me Indonezinë, e cila, sipas tij, do të eliminojë 99 për qind të tarifave të vendosura mbi eksportet amerikane ndaj vendit të Azisë Juglindore, transmeton Anadolu.
"Është rënë dakord që Indonezia të jetë një treg i hapur për produktet industriale dhe teknologjike amerikane, si dhe mallrat bujqësore, duke eliminuar 99 për qind të barrierave të tyre tarifore. Shtetet e Bashkuara të Amerikës tani do t’i shesin Indonezisë produkte të prodhuara në Amerikë me një normë tarifore ZERO, ndërsa Indonezia do të paguajë 19 për qind për të gjitha produktet e tyre që vijnë në SHBA”, shkroi Trump në rrjetet sociale.
“Përveç kësaj, Indonezia do t’i furnizojë Shtetet e Bashkuara me mineralet e tyre të çmuara kritike, si dhe do të nënshkruajë marrëveshje të mëdha, me vlerë dhjetëra miliarda dollarë, për të blerë avionë ‘Boeing’, produkte bujqësore amerikane dhe energji amerikane. Kjo marrëveshje është një ‘Fitore e Madhe’ për prodhuesit tanë të automobilave, kompanitë teknologjike, punëtorët, bujqit, blegtorët dhe prodhuesit”, shtoi Trump.
Zyrtarët e tij të lartë më herët sot e përshkruan marrëveshjen si një “kornizë” që ata thanë se “tregon saktësisht se si presidenti po rivendos kushtet e tregtisë për të siguruar që ne të mund të zvogëlojmë deficitin tonë, si duke rregulluar importet ashtu edhe duke zgjeruar eksportet”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.