Trump ndalon sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Iranit për 5 ditë pas bisedimeve "produktive"
Ndalesa vjen pas bisedimeve "shumë të mira dhe produktive" SHBA-Iran për zgjidhjen e konflikteve në Lindjen e Mesme, thotë presidenti amerikan Trump
Stamboll
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se ka urdhëruar shtyrjen për 5 ditë të të gjitha sulmeve ndaj centraleve elektrike dhe infrastrukturës energjetike të Iranit, duke cituar bisedime "shumë të mira dhe produktive" me Teheranin gjatë dy ditëve të fundit, transmeton Anadolu.
"Jam i kënaqur të raportoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani kanë pasur, gjatë dy ditëve të fundit, bisedime shumë të mira dhe produktive për një zgjidhje të plotë dhe të gjithanshme të konflikteve tona në Lindjen e Mesme", tha Trump në platformën e tij të mediave sociale, "Truth Social".
Ai shtoi se bazuar në "tonin dhe përmbajtjen e këtyre bisedimeve të thella, të detajuara dhe konstruktive, të cilat do të vazhdojnë gjatë gjithë javës" ka urdhëruar Departamentin e Mbrojtjes të shtyjë të gjitha sulmet ushtarake ndaj centralëve elektrikë dhe infrastrukturës energjetike të Iranit për një periudhë pesë ditore.
Ai theksoi se kjo ndalesë varet nga suksesi i takimeve dhe diskutimeve në vazhdim.
Ky vendim vjen ndërsa tensionet rajonale kanë vazhduar të përshkallëzohen që nga sulmet e përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Iranit më 28 shkurt, duke shkaktuar deri tani mbi 1.340 viktima, përfshirë udhëheqësin e atëhershëm suprem, Ali Khamenei.
Irani ka kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, si dhe Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë dhe duke ndërprerë tregjet globale dhe aviacionin.
